Kryeministër i ri? Zgjedhje të parakohshme? Dorëheqje? Macron ka 3 zgjedhje nëse bie qeveria e Bayrou-t

27/08/2025 12:18

Franca po përballet me trazira politike dhe financiare për shkak të pamundësisë së Bayrou-t për të ulur deficitin buxhetor.

Shenjat e para sugjerojnë se aventura e Kryeministrit François Bayrou për të mbajtur një votëbesim do të rrëzojë qeverinë e tij të brishtë minoritare muajin e ardhshëm, duke thelluar krizën me të cilën përballet Presidenti Emmanuel Macron për të qeverisur Francën.

Të hënën, Bayrou në thelb sfidoi kundërshtarët e tij që ta rrëzonin më 8 shtator për shkak të nevojës për të ulur deficitin e madh të Francës. Shumica duket e gatshme t’i shkojë deri në fund kësaj sfide.

E majta ekstreme France Unbowed, e cila prej kohësh kërkon kokën e Bayrou-t, shpalli menjëherë se do të lëvizë për ta rrëzuar qeverinë. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me socialistët e qendrës së majtë, të cilëve u ka humbur durimi me centristin e vjetër. Madje edhe e djathta ekstreme e Marine Le Pen-it, National Rally, e cila dukej se po priste fillimin e negociatave për buxhetin për të përdorur kërcënimin e rrëzimit të Bayrou-t, tani duket gati të japë goditjen.

Kampi i Bayrou-t u duk i befasuar nga vendimi i së djathtës ekstreme. Një person pranë kryeministrit, i cili foli në mënyrë anonime, i tha POLITICO-s se ata besonin që Le Pen “donte të na linte neve të bënim punën e pisët” të balancimit të financave të Francës.

Bayrou ka mbijetuar disa mocione mosbesimi që prej emërimit të tij në fund të vitit të kaluar, falë abstenimeve të National Rally ose socialistëve. Meqë asnjëra palë nuk po i ofron më një “litar shpëtimi”, shanset e tij për mbijetesë janë ulur— përveçse të arrijë një kthesë të pabesueshme nga kundërshtarët e tij.

Nëse bie qeveria e Bayrou-t, radha për të vepruar i mbetet Macron-it.

Ja opsionet e tij, me gjasat përkatëse:
Të emërojë një kryeministër tjetër

Gjetja e një terreni të përbashkët në Asamblenë Kombëtare ka rezultuar e vështirë që prej zgjedhjeve të parakohshme verën e kaluar, të cilat prodhuan një parlament të varur, i ndarë në tre blloqe pothuajse të barabarta: një aleancë e së majtës, një martesë interesi mes centristëve dhe konservatorëve, dhe e djathta ekstreme.
Nëse bie Bayrou, ai do të ishte kryeministri i dytë i rrëzuar që nga zgjedhjet, teksa përpiqej të shtynte përpara plane të debatueshme të shpenzimeve. Paraardhësi i tij, Michel Barnier, u rrëzua nga një mocion mosbesimi vetëm tre muaj pas emërimit.

Emërimi i një kryeministri tjetër centrist ose të qendrës së djathtë mund të duket si përsëritja e përkufizimit të gabuar të Albert Einstein-it për marrëzinë: të bësh të njëjtën gjë vazhdimisht dhe të presësh një rezultat të ndryshëm. Por Macron mund të mos ketë zgjidhje tjetër nëse do të mbrojë trashëgiminë e tij përpara se francezët të shkojnë në votime për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Një kandidat i përfolur shpesh është Ministri i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu. 39-vjeçari është një aleat i afërt i Macron-it dhe ish-anëtar i partisë konservatore Les Républicains — e cila ka qenë një partner kyç i koalicionit për Bayrou dhe Barnier. Ai shihet gjithashtu si një personazh politik i aftë, që mund të flasë edhe me të djathtën ekstreme.

Macron mund të orientohet edhe drejt qendrës së majtë për të tërhequr socialistët në një koalicion qeverisës. Emri i ish-kryeministrit socialist Bernard Cazeneuve është përmendur disa herë gjatë tranzicioneve të kaluara qeveritare.

Por socialistët me gjasë do të kërkojnë lëshime të rëndësishme politike nga Macron dhe aleatët e tij, si rritjen e taksave — gjë që presidenti francez e ka kundërshtuar fuqishëm që prej zgjedhjes së tij në vitin 2017 — ose rihapjen e diskutimeve për reformën e pensioneve.

Përçarjet e thella brenda forcës së qendrës së majtë e bëjnë të pasigurt që të gjithë ligjvënësit e saj do të pranonin të mbështesnin një koalicion që përfshin rivalët e tyre të mëparshëm, sidomos me zgjedhjet presidenciale që duken afër.

Të thërrasë zgjedhje të reja të parakohshme

Si gjithmonë lojtar politik, Macron mund të vendosë të rrezikojë me zgjedhje të tjera të parakohshme për t’i dhënë fund bllokimit parlamentar.

Problemi, megjithatë, është se shpërndarja e parlamentit është pikërisht arsyeja pse politika franceze përfundoi në këtë ngërç që në fillim. Peizazhi politik nuk ka ndryshuar shumë që nga vera e kaluar, ndaj zgjedhjet mund të sjellin sërish një parlament pa mazhorancë të qartë.
Para së hënës, dukej e pamundur që Macron të dërgonte sërish votuesit në kutitë e votimit. Ai ka përsëritur vazhdimisht, madje edhe javën e kaluar, dëshirën e tij që Bayrou të mbetej në detyrë dhe që liderët politikë të punonin së bashku.

Megjithatë, kori i kritikëve që i kërkojnë Macron-it të shpërndajë parlamentin po bëhet gjithnjë e më i fortë. Shumë mendojnë se mund të fitojnë, dhe nuk është e pamundur që një forcë politike të arrijë një shumicë absolute.

Figurë e rëndësishme socialiste, Boris Vallaud, tha se partia e tij po përgatitej për mundësinë që Macron të thërrasë zgjedhje të reja, ndërsa Le Pen shkroi në X se “vetëm zgjedhjet e parakohshme do t’i lejojnë francezët të zgjedhin fatin e tyre, të njëjtë me National Rally.”

Deklarata e ikonës së vjetër të së djathtës ekstreme ishte disi e habitshme, duke pasur parasysh se ajo aktualisht është e ndaluar të garojë në zgjedhje pasi u shpall fajtore për shpërdorim fondesh publike, akuzë që ajo e mohon dhe e ka apeluar.
Dorëheqje

Kaosi po ushqen thirrje të reja nga skajet politike që Macron të tërhiqet — njësoj si pas zgjedhjeve të parakohshme verën e kaluar.

Lideri i France Unbowed, Jean-Luc Mélenchon, tha se partia e tij do të paraqiste një mocion parlamentar për ta rrëzuar Macron-in, që duket i destinuar të dështojë. Por komentatorë të vjetër politikë po hapin diskutimin dhe politikanët po pyeten nëpër emisione televizive nëse duan që Macron të largohet.

Macron e ka mohuar kategorikisht se do të konsideronte ndonjëherë një largim të hershëm. Por e ardhmja e Francës varet nga aftësia e qeverisë për të dorëzuar një buxhet të shkurtuar për vitin 2026, për të frenuar deficitet dhe për të ulur shpenzimet.

Çfarëdo që të ndodhë më tej, është e qartë se kaosi politik dhe gjendja e rëndë e financave të Francës mund të kthehen lehtësisht në një koktej shpërthyes për presidentin.

Top Channel