Koreja e Jugut miraton ligjin, ndalohet përdorimi i telefonave brenda në klasë! Studentët ngrenë pyetjen: A është kjo zgjidhja e duhur?

27/08/2025 10:31

Koreja e Jugut ka miratuar një projektligj të ri që ndalon përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve inteligjente gjatë orarit të mësimit, duke u bërë një nga vendet e pakta që e sanksionon këtë masë me ligj.

Ligji, i cili hyn në fuqi në mars 2026, synon të frenojë varësinë gjithnjë e më të madhe të të rinjve nga teknologjia, pasi studimet e fundit tregojnë ndikimet negative që përdorimi i tepërt i telefonave ka në performancën akademike dhe zhvillimin emocional të nxënësve.

Projektligji u miratua bindshëm me 115 vota pro nga 163 deputetë të pranishëm. Ai u jep mësuesve të drejtën të ndalojnë përdorimin e telefonave jo vetëm gjatë orës së mësimit, por edhe në ambientet e shkollës, duke kërkuar njëkohësisht edukimin e nxënësve mbi përdorimin e shëndetshëm të teknologjisë.

Megjithatë, ndalimi ka nxitur debat. Shumë prindër e mbështesin nismën, duke e lidhur varësinë nga telefonat me rënie të rezultateve dhe rritje të ngacmimeve në rrjete sociale. Sipas një sondazhi qeveritar të vitit 2024, 43% e adoleshentëve koreanë pranojnë se varen shumë nga telefonat, një shifër që është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Nga ana tjetër, shumë studentë dhe disa mësues mendojnë se ndalimi nuk adreson problemin rrënjësor. Ata argumentojnë se sistemi arsimor tepër konkurrues dhe provimi i famshëm Suneung, që përcakton pranimin në universitet, janë burimi kryesor i stresit tek të rinjtë, jo telefonat.

Projektligji parashikon disa përjashtime, duke lejuar përdorimin e pajisjeve për arsye mjekësore, nevoja të veçanta arsimore ose situata emergjente.

Koreja e Jugut i bashkohet kështu vendeve si Franca, Finlanda, Italia dhe Kina, të cilat tashmë kanë vendosur kufizime mbi përdorimin e telefonave në shkolla, por me këtë hap bëhet një nga të paktat shtete që e ka bërë ndalimin pjesë të legjislacionit kombëtar.

Top Channel