“Do dëbojmë azilkërkuesit nga Britania e Madhe”/ Babai i Brexit premton që të arrestojë dhe dëbojë 600 mijë persona nga kanë ardhur

27/08/2025 12:21

Nëse, e gjithmonë nëse, vjen në pushtet në Britani pas afro 4 vjetësh, me partinë e tij Reforma, ai që njihet ndryshe si Babai i Brexit, Nigel Farage, thotë se do të arrestojë dhe deportojë rreth 600 mijë azilantë në vendet nga kanë ardhur, dhe bëhet fjalë kryesisht, dhe jo vetëm, për ata që vijnë me gomone nga La Manshi.

Farage, një spekulant dhe oportunist politik, që me të pavërtetat e tij shpëlau trutë e britanikëve që votuan pro daljes nga BE, për shkak edhe të këtij fakti sot Britania nuk aplikon dot Konventën e Dublinit, që lejonte çdo azilant të rikthehet në vendin e parë të sigurt në BE ku ai aplikonte për azil!.

Kjo është edhe arsyeja dhe nënprodukti pse nuk i kthen dot Britania tashmë mijëra të ardhur çdo muaj në Francë, e cila shkarkon emigrantët në brigjet angleze, të cilët më pas strehohen nëpër hotele, dhe britanikët e thjeshtë janë të turfulluar nga paaftësia e qeverisë së sotme, por edhe e paraardhësve, për ta zgjidhur këtë krizë besimi në qeverisje.

Nigel Farage sheh mundësi përfitimi politik dhe sondazhi më i fundit i The Times tregon se 71 përqind të të anketuarve mendojnë se Starmer nuk po e zgjidh drejt krizën e emigracionit, dhe nga këta 56 përqind janë votues laburist.

Kjo krizë ka bërë ndër të tjera që partia Reforma e Farage të jetë 22 pikë para laburistëve në pushtet në sondazhe! Laburistët thonë se politikat alla-trampiane të Farage për emigracionin janë politika të shkruara “në një paketë cigaresh”.

Ndoshta kanë të drejtë, por Farage luan nga tribuna dhe nuk jep asnjë shpjegim se pavarësisht nga 2 miliardët që do vendosë në dispozicion, sesi do të bindë këto vende që të deportojë azilkërkuesit në vende si Afganistani i Talebanëve, Eritrea apo Irani, dhe sa do kushtojnë këto fluturime të shtrenjta dhe në vende të largëta.

Kjo as nuk ka marrëveshje me Shqipërinë, që përmendet në planet e tij, e cila disa herë ka deklaruar të mos shndërrohet në kosh të emigrantëve të ardhur nga vendet më të pasura të Perëndimit, edhe sikur Londra t’i ofronte po aq ose më shumë se sa Ruandës, ku shkuan vetëm 4 azilantë vullnetarisht për 700 milionë stërlina të dhëna vendit afrikan.

Politikanët britanikë, për aq kohë sa nuk kuptojnë shkaqet e vërteta pse Britania është shndërruar në El Dorado të emigrantëve, përveç nëse ka një axhendë të tjera ekonomike të paartikuluara, nuk mund të veprojnë. Britania, e cila po ngrohet më shumë nga ngrohja globale, çka shton kalimet me gomone, ka kalime të vështira për t’u frenuar me mjetet dhe politikat shpesh naive të momentit.

Këto kalime kanë mbetur vetëm të frenohen me anije lufte, në mes të detit, çka do të ishte e paimagjinueshme mes Francës dhe Britanisë, vende të NATO-s.

Deri në gjetjen e terapisë, Nigel Farage do mbetet kërcënues dhe aspirant pushteti në një Britani e cila humbi reputacionin e dikurshëm, herë prej gjysmë të vërtetave e më shumë prej gënjeshtrave e spekulimeve të dëmshme të kampionit të Brexitit, taktika populiste këto që kanë treguar se funksionojnë edhe në vende me demokraci të konsoliduara.

Top Channel