Trump kërcënon me tarifa të reja për vendet që “diskriminojnë” kompanitë amerikane të teknologjisë

26/08/2025 10:37

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të martën se do të vendoste tarifa dhe kufizime eksporti për vendet që ai thotë se po synojnë kompanitë amerikane të teknologjisë.

“Taksat ose ligjet e shërbimeve dixhitale, si dhe rregulloret në tregjet dixhitale, janë hartuar në çdo rast për të diskriminuar ose dëmtuar kompanitë amerikane”, tha zoti Trump nëpërmjet Truth Social.

Komentet duket se u drejtoheshin posaçërisht vendeve dhe organizatave evropiane që kanë miratuar ligje që rregullojnë shërbimet dixhitale.

Bashkimi Evropian, për shembull, ka miratuar “Aktin e Tregjeve Dixhitale” (DMA) dhe “Rregulloren e Tregut të Vetëm të Shërbimeve Dixhitale” (DSA), të cilat trajtojnë konkurrencën dhe kontrollin e përmbajtjes.

Britania gjithashtu vendos një taksë mbi shërbimet dixhitale.

Nëse masat që “diskriminojnë” kompanitë amerikane nuk hiqen, zoti Trump nuk e përjashtoi vendosjen e “detyrimeve të mëdha doganore shtesë” mbi produktet e vendeve që i zbatojnë ato, si dhe kufizime mbi eksportet e gjysmëpërçuesve dhe teknologjive amerikane për to. “Amerika dhe kompanitë amerikane të teknologjisë nuk janë më ‘kasa e derrkucëve’ ose ‘rrogozi’ i botës”, shkroi ai gjithashtu.

Në qershor, zoti Trump anuloi negociatat tregtare me Kanadanë për shkak të një takse mbi shërbimet dixhitale që Ottawa planifikonte të fuste dhe që kryesisht kishte të bënte me gjigantët shumëkombësh amerikanë, si Alphabet, Amazon dhe Meta. Qeveria kanadeze e anuloi masën disa 24 orë më vonë.

Top Channel