SHBA/ U arratis nga lufta, e vrau dhuna, 23-vjeçarja ukrainase theret me thikë në Karolinën e Veriut

26/08/2025 14:44

Një grua e re ukrainase që kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara në kërkim të një jete më të mirë, është identifikuar si viktima e një therjeje të pamëshirshme me thikë të premten në mbrëmje.

Iryna Zarutska, 23 vjeçe, u gjet e vdekur në orën 21:55 të së premtes, në stacionin e trenit South End në Charlotte, Karolina e Veriut. Ajo ishte zhvendosur kohët e fundit në SHBA nga Ukraina, në përpjekje për t’i shpëtuar luftës së vazhdueshme me Rusinë.

Një i dyshuar 34-vjeçar, Decarlos Brown, u arrestua menjëherë pasi policia mbërriti në vendngjarje.

Krimet e dhunshme mbeten një problem serioz në Charlotte, e cila ka një shkallë krimi më të lartë se mesatarja kombëtare krahasuar me qytetet e tjera amerikane. Qyteti drejtohet nga kryetarja demokrate e bashkisë, Vi Lyles, që nga viti 2017.

Zarutska “shpresonte për një fillim të ri”, thonë të afërmit e saj.

“Kjo është një humbje e pariparueshme për familjen e saj,” shkruhej në faqen e GoFundMe të krijuar për të mbështetur tezen e saj me shpenzimet e papritura.”

Brown është akuzuar për vrasje të shkallës së parë dhe është dërguar në spital me lëndime që nuk rrezikojnë jetën. Ai ka qenë i arrestuar disa herë që nga viti 2011 dhe raportohet se është i pastrehë.

Sipas The Charlotte Observer, shumica e akuzave ndaj tij ndër vite, përfshirë vjedhje të rëndë, grabitje me armë të rrezikshme dhe kërcënime, janë rrëzuar. Policia nuk ka dhënë ende detaje mbi motivin që çoi në therjen me thikë.

Këshilltari i qytetit, Edwin Peacock, ka kërkuar përgjigje nga autoritetet, duke theksuar se komuniteti nuk ndihet më i sigurt për të përdorur transportin publik.

“Besimi dhe ndjenja e sigurisë që kishim, veçanërisht midis zonave South End dhe Uptown, tani është shumë i brishtë,” u shpreh ai.
“Kjo histori është tronditëse dhe nëse gjithçka që po dëgjojmë është e vërtetë, është e domosdoshme që t’i japim familjes së saj përgjigje. Më e rëndësishmja, duhet t’u rikthejmë të gjithë qytetarëve besimin se janë të sigurt kur përdorin trenin dhe mjetet e tjera të transportit.”

Vendimi i Zarutskës për t’u larguar nga Ukraina erdhi pas më shumë se tre vitesh lufte, që nisi në vitin 2022 me pushtimin rus.

Top Channel