Ngecja e zgjerimit, Gjermania insiston: Ballkani në BE! I bën ‘presion’ Kroacisë

26/08/2025 11:54

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul kërkon t’i japë një shtysë të re procesit të ngecur të zgjerimit të BE-së.

Mes një mungese avancimi të pranimit të Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës e Kosovës në bllokun europian, kryediplomati gjerman po ndjek një taktikë të re: Ai po nxit Kroacinë, vendi i fundit që iu bashkua unionit në 2013-tën, të luajë një rol kyc në këtë drejtim.

“Tani duhet t’i japim një shtysë të re zgjerimit për Ukrainën, Moldavinë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha politikani i CDU-së gjatë një takimi me homologun e tij Gordan Grlic Radman në kryeqytetin kroat, Zagreb.

“Shpresoj që Kroacia të luajë një rol aktiv dhe vendimtar si një shoqëruese. Ju i dini vështirësitë e procesit të pranimit nga përvoja juaj. Kjo ju bën një urë midis Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai. Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi konsiderohet më i përparuari në procesin e pranimit në BE, por nuk është caktuar ende një datë për pranimin e tij. BE ka zhvilluar negociata pranimi me Malin e Zi dhe Serbinë që nga viti 2012 dhe 2014.

Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut filluan në vitin 2022. Bosnja dhe Hercegovina ka statusin e kandidatit për pranim, por ende nuk ka filluar negociatat. Kosovaështë një kandidat potencial për pranim. Wadephul sqaroi se anëtarësimi në BE nuk është një proces thjesht teknik, por edhe një çështje gjeopolitike. “Nuk duhet t`ia lëmë fqinjët tanë autokratëve që kërkojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre përmes dezinformimit dhe korrupsionit ose të na fusin në varësi të reja”, paralajmëroi ai, duke nënkuptuar këtu vende si Rusia dhe Kina, pa i përmendur sidoqoftë me emër.

Ai shtoi megjithatë se krahas procesit të zgjerimit,  BE duhet të reformohet nga brenda për të qenë në gjendje të përballet me sfidat gjeopolitike si një Bashkim i aftë dhe i konsoliduar demokratikisht.

Top Channel