
“I sheh këta dronë? Në fund, ata që përfitojnë më shumë nga kjo luftë janë kinezët, ata shesin si tek ne, ashtu edhe tek rusët komponentët kryesorë.
Të gjithë blejmë nga Pekini”. Këto janë fjalët e majorit Sergei — inxhinier dhe oficer 48-vjeçar i batalionit të forcave speciale “Taifun”, i ngarkuar me koordinimin e njësive të dronëve në Donbas — që na shoqërojnë gjatë vizitës në bunkerët e tyre komandues dhe më pas në vijën e frontit në qytetin e shkatërruar nga sulmet ruse, Dobropillia.
Aty mbërrijmë për rreth një orë e gjysmë me makinë nga Kramatorsku, në rrugën ku xhenierët ukrainas po shtrijnë rrjeta të varura për të kundërshtuar dronët armikë. Komandat e Moskës kishin filluar sulmin për të marrë Dobropillian më 11 gusht dhe prej asaj kohe vija e llogoreve po ndryshon shpejt në të gjithë Donbasin verior.
Por, para se të arrijmë në zemër të qytetit, i cili për tre javë është shkatërruar 40 për qind nga bombardimet ruse dhe nga ku pjesa më e madhe e 28 mijë banorëve kanë zgjedhur të largohen, ndalojmë në bunkerin komandues të “Taifun”-it. Ai është përshtatur në bodrumet e disa pallateve të epokës sovjetike dhe duke zbritur disa shkallë nëntokë hyjmë në laboratorin e luftës të së ardhmes. “Ne kemi dronë komercialë të prodhuar nga firmat ukrainase me karbon. Këtu më pas i modifikojmë për nevojat e luftimeve, shtojmë pajisje për të ngjitur bombat dhe vendosim bateri litiumi të fuqizuara”, tregon Sergei.
Rreth tij ka teknikë dhe inxhinierë me bluzë dhe pantallona të shkurtra. Punojnë sikur të ishin në një qendër të zakonshme kërkimore, në ekranet e kompjuterëve shfaqen faqe me formula matematikore. Merrni edhe dronë nga aleatët e NATO-s? “Po, por nuk vlejnë, dalin të vjetruar. Tani jemi ne ukrainasit që u mësojmë aleatëve në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara teknologjitë e luftës së re në qiell. Për ne më shumë vlejnë ndihmat ekonomike për të blerë në treg elektronikën më të mirë”, përgjigjet ai duke treguar bateritë super të lehta dhe komponentët kinezë.
Nga disa rafte nxjerr fijet optike dhe rrotullat e kabllove që duhen për të kontrolluar dronët me tel. “Këta funksionojnë për të shmangur ndërhyrjet elektronike ruse. Kabllot tona megjithatë janë të gjata 15 kilometra, ato ruse arrijnë mbi 25 dhe ata janë shumë të aftë në ndërtimin e mekanizmave që paralizojnë telekomandat tona. Sfida është pikërisht këtu: të dish të jesh gjithmonë një hap përpara armikut dhe është një proces shumë i shpejtë. Mekanizmi, arma që sot duket vendimtare, pas një muaji mund të dalë e tejkaluar. Jemi në një ndjekje të pandërprerë”.
Në këtë laborator ata modifikojnë kryesisht dronë që kushtojnë nga 500 deri në 1.000 dollarë. Janë armë njëpërdorimshe me një rreze prej 10–15 kilometrash. Ato të rusëve janë të ndërtuara me alumin, më pak të sofistikuara, por shumë efektive kur hidhen në numër të madh. “Për çdo dron tonin, rusët lëshojnë dhjetë, ata kanë gjithashtu më shumë njerëz për t’i dërguar në patrullë”, thotë oficeri. Prej disa ditësh të dy ushtritë po lëshojnë matka, dronët “nënë” që mund të fluturojnë deri në 50 kilometra larg dhe që kanë ngjitur në krahë dy “fëmijë” të vegjël kamikazë. Pajisje të shtrenjta: mbi 200 mijë euro për një të vetëm, deri tani janë përdorur me kursim.
Rreth mesditës përshkojmë me xhip 20 kilometrat e fundit të rrugës së shkretë drejt Dobropillias. “Mjeti ynë është i pajisur me jammer për të penguar valët e dronëve rusë. Por teknika më e mirë është të udhëtosh me mbi 150 km/orë, meqë zakonisht ata nuk e kalojnë shpejtësinë 70”, thotë shoferi, një tridhjetëvjeçar nga Dnipro.
Kilometrat e fundit, 2–3 para qytetit, janë krejtësisht të zymtë. Qysh nga ndërtesat e para shihet qartë teknika e zakonshme ruse e “tokës së djegur”. Bombat rrëshqitëse dhe artileria e tyre po shkatërrojnë zonën urbane. Patrullat e tyre përparimtare ndodhen vetëm katër ose pesë kilometra larg qendrës. Dobropillia nis të të kujtojë skenarët e parë më herët në Bahmut, Avdiivka, Pokrovsk ose Chasiv Yar, qytetet që ata tashmë i kanë pushtuar ose janë duke i marrë.
“Duhet pyetur se ku do t’i gjejë paratë Putini për t’i rindërtuar. Do t’i duhen miliarda”, vëren ushtari që na shoqëron, me automatikun drejtuar nga qielli, në rast se shfaqen dronë.
Herë pas here kalon ndonjë civil me thasë ushqimesh mbi shpinë. Uji dhe dritat janë ndërprerë, dyqanet janë mbyllur dhe njerëzit ndihmohen nga ushtarët. “Ne i kemi ftuar të gjithë të evakuohen, por shumë të moshuar preferojnë të qëndrojnë, jetojnë si minjtë të fshehur në bodrume”, shpjegon Sergei.
Edhe zona e tregut është goditur, thasë me patate, karota, konserva janë hedhur nëpër rrugicat e ngushta. Duken pëllumba dhe qen të ngordhur. Në një moment një zhurmë e frikshme na detyron të vrapojmë e të futemi në një dyqan të braktisur. Një i moshuar kalon me biçikletën e tij të ngarkuar me pako. “Nuk dua të flas me gazetarë”, pëshpërit me nervozizëm. Një orë pas mbërritjes tonë vendosim të nisim rrugën e kthimit.
Top Channel