
Sven Liebich, 55 vjeç, i njohur për pikëpamjet e tij neo-naziste, homofobike dhe transfobike, ka ndryshuar ligjërisht gjininë dhe tani do të hyjë në burgun e grave në Chemnitz për të vuajtur një dënim prej 18 muajsh.
Ai ka marrë emrin Marla-Svenja Liebich, duke përfituar nga ligji gjerman për vetëpërcaktimin e gjinisë.
Liebich u dënua në korrik 2023 nga gjykata e Halle-s për nxitje të urrejtjes, shpifje dhe fyerje, ndërsa si burrë ishte i njohur për aktivitetet dhe deklaratat e tij ekstremiste. Apeli dhe rishikimi i dënimit u refuzuan, dhe zyrtarisht dënimi është i formës së prerë. Zyra e prokurorit të Halle-s urdhëroi që ai të vuajë dënimin në Saksoni, në vendbanimin e tij.
Duke njoftuar në rrjetet sociale X, Liebich tha se do të fillojë paraburgimin më 29 gusht dhe shprehu gatishmërinë për intervista para se të hyjë në burg. Shumë kritikë besojnë se ky hap është një mënyrë për të provokuar debat mbi reformën gjermane për ndryshimin e gjinisë, duke vënë në pikëpyetje ligjin që lehtëson procedurat për vetëpërcaktimin e gjinisë.
Sven Liebich, tani Marla Svenja, gjithashtu ka ndryshuar statusin e tij martesor në përputhje me gjininë e re dhe kjo ka shkaktuar debat të gjerë politik në Gjermani, duke ngritur pyetje mbi vendosjen e personave me precedentë kriminalë në burgje sipas gjinisë së deklaruar.
Ky rast ka ndezur një stuhie politike dhe mediatike në vend, duke nxitur debate mbi kufijtë e reformës dhe sigurinë në institucionet e burgut.
Top Channel