Fundi i luftës së Ukrainës, Rubio bisedon me homologët europianë: Mirënjohës, por….

26/08/2025 11:39

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka diskutuar me homologët e tij europianë lidhur me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në njoftimin e DASH shpjegohet se kryediplomati amerikan bisedoi me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha, ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Në një njëjtën deklaratë pohohet se ministri ukrainas ka përcjellë mirënjohje në emër të vendit të tij për Rubion dhe përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e  paqes”. Ai shtoi mgjithatë se garancitë e sigurisë për Kievin janë thelbësore.

“Unë përsërita qëndrimin e Ukrainës se garancitë e sigurisë duhet të jenë konkrete, juridikisht detyruese dhe efektive. Ato duhet të jenë shumëdimensionale, duke përfshirë nivele ushtarake, diplomatike, juridike dhe të tjera”, shkroi Sybiha në X.”Të gjithë ndajmë bindjen se ushtria ukrainase është niveli themelor i çdo garancie të tillë, prandaj forcimi maksimal i saj është prioriteti ynë kryesor”, nënvizoi ai.

Trump, pas takimeve të vecanta që zhvilloi me shefin e Kremlinit, Putin, dhe më vonë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe me liderët europianë, i kërkoi Rubios të udhëheqë bisedimet që në qendër të tyre kanë garancitë e shumëkërkuara të sigurisë për Ukrainën.

Top Channel