Duhej të ishte në ‘arrest shtëpie’, 22-vjeçari kapet duke shitur drogë në Velipojë dhe me armë në makinë

26/08/2025 12:41

Një 22-vjeçar është në prangat e policisë në Velipojë, pasi është kapur me armë zjarri pa leje, si dhe posedim të lëndëve narkotike, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dilte nga banesa dhe shiste lëndë narkotike në doza, kanë organizuar punën për kapjen e tij në flagrancë. Ata e kanë konstatuar shtetasin F. G., duke qarkulluar me automjet, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë arrestuan në flagrancë shtetasin F. G., 22 vjeç, banues në fshatin Pulaj, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel