
Danimarka nuk e përjashton njohjen e një shteti palestinez, me kusht që të jetë demokratik, tha kryeministrja Mette Frederiksen.
“Ne nuk po i themi jo njohjes së një shteti palestinez. Ne jemi pro. Ne kemi qenë pro për një kohë të gjatë. Është ajo që dëshirojmë. Por padyshim duhet të sigurohet që të jetë një shtet demokratik”, tha Frederiksen.
Të dielën, të paktën 10 mijë persona dolën në rrugë për të kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe për t’i bërë thirrje Danimarkës të njohë një shtet palestinez.
Në një intervistë me gazetën Jyllands-Posten në mesin e gushtit, Frederiksen kishte vlerësuar se “Netanyahu është tani vetë problemi”, duke gjykuar se qeveria e tij po e tepronte me vendimet e tyre.
“Vazhdimi i politikës shumë të dhunshme të Netanyahut në Gaza është i papranueshëm”, kishte shkruar ajo gjithashtu në llogaritë e saj në mediat sociale, duke sqaruar, megjithatë, se që nga sulmi i 7 tetorit, ajo mbështet të drejtën e Izraelit për të eliminuar “kërcënimin që paraqet Hamasi”.
Njohja e një shteti palestinez duhet t’i shërbejë “kauzës së mirë”, këmbënguli ajo.
“Duhet të ndodhë në një kohë kur është vërtet e favorshme për një zgjidhje me dy shtete. Dhe ku mund të sigurohet një shtet palestinez i qëndrueshëm dhe demokratik, pa ndikimin e Hamasit. Dhe kjo sigurisht duhet të bëhet me një njohje të ndërsjellë të Izraelit”, tha kryeministrja daneze.
Ndërkohë, Danimarka do të përdorë presidencën e saj të BE-së për të rritur presionin mbi shtetin hebre.
“Do të jetë e vështirë të mblidhet mbështetja e nevojshme, por ne do të bëjmë atë që mundemi”, premtoi ajo.
Sulmi i 7 tetorit vrau 1,219 persona në anën izraelite, shumica e tyre civilë, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në shifra zyrtare.
Sulmi hakmarrës i Izraelit ka vrarë të paktën 62,744 persona në Gaza, shumica e tyre civilë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit në Gaza, të cilat konsiderohen të besueshme nga OKB-ja dhe ka çuar në një katastrofë humanitare.
Top Channel