
Unioni Postar Universal, një agjenci e Kombeve të Bashkuara, njoftoi se 25 nga shtetet e saj anëtare kanë ngrirë dërgesat për në Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të pasigurisë së shkaktuar nga tarifat e reja të vendosura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Unioni Postar Universal, një agjenci që promovon bashkëpunimin midis shërbimeve postare në 192 vendet e saj anëtare, tha se kishte përcjellë shqetësimet e saj në lidhje me këto pezullime në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të datës 25 gusht 2025.
“Operatorët postarë në 25 vende anëtare kanë njoftuar tashmë pezullimin e shërbimeve të tyre postare për në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur pasiguri që lidhen veçanërisht me shërbimet e tranzitit”, tha agjencia e OKB-së në një deklaratë.
Nuk i përmendi vendet, megjithëse Australia, Norvegjia dhe Zvicra, ndër të tjera, tashmë i kanë njoftuar publikisht këto pezullime.
Muajin e kaluar, administrata Trump njoftoi se po eliminonte përjashtimin global “de minimis”, i cili lejonte mallra me vlerë deri në 800 dollarë të hynin në Shtetet e Bashkuara pa taksa dhe gjithashtu kishte burokraci minimale. Masa pritet të hyjë në fuqi më 29 gusht.
Top Channel