“Vajza e Askujt”, rrëfimi i fundit tronditës i Virginia Giuffre botohet pas vetëvrasjes, zbardhen abuzimet e Epstein dhe lidhjet me Princin Andrew

25/08/2025 07:41

Në një libër të përshkruar si “i papërpunuar dhe tronditës”, Virginia Giuffre – një nga viktimat më të njohura të Jeffrey Epstein – kthehet për të rrëfyer historinë e saj, pak para se t’i jepte fund jetës.

Gruaja që akuzoi Princin Andrew për abuzim seksual kur ishte vetëm 17 vjeç, përfundoi kujtimet e saj pak para vdekjes, duke lënë pas një dëshmi të fortë që pritet të hapë plagë të vjetra dhe të nxisë debate të reja.

Libri “Vajza e Askujt: Një Kujtim i Mbijetesës së Abuzimit dhe Luftës për Drejtësi” do të botohet në fillim të tetorit nga shtëpia botuese Alfred A. Knopf dhe do të jetë rreth 400 faqe i gjatë. Sipas njoftimit të botuesit, vepra përmban “detaje tronditëse, shqetësuese dhe zbuluese” mbi periudhën kur Giuffre ishte nën kontrollin e Epstein dhe Ghislaine Maxwell, si dhe lidhjet e tyre me persona me ndikim të madh, përfshirë Princin Andrew.

Vetëm pak javë para vetëvrasjes, Giuffre i shkroi një email gazetares Amy Wallace, ku theksonte dëshirën që libri të botohej, pavarësisht rrethanave të jetës së saj.

“Në rast të vdekjes sime, dua të sigurohem që ‘Vajza e Askujt’ të botohet. Besoj se ky libër ka fuqinë të ndikojë në jetë dhe të hapë diskutime shumë të nevojshme mbi këto krime”, – shkruante ajo.


Mesazhi u dërgua më 1 prill 2025, dhe rreth 20 ditë më vonë, Virginia Giuffre u vetëvra në moshën 41-vjeçare.

Giuffre kishte ndërmarrë veprime ligjore në SHBA kundër Dukës së Jorkut, duke pretenduar se ai kishte abuzuar seksualisht me të kur ajo ishte ende e mitur, nën presionin e Epstein dhe Maxwell.
Andrew i mohoi akuzat, por në vitin 2022 arriti një marrëveshje jashtë gjykate, e vlerësuar në rreth 12 milionë paund. Edhe pse ligjërisht çështja u mbyll, skandali e dëmtoi rëndë figurën publike të princit dhe e largoi nga detyrat mbretërore.

Giuffre kishte përshkruar tre takime të ndara me Andrew: Në shtëpinë e Ghislaine Maxwell në Londër, në rezidencën e Epstein në Nju Jork, dhe në ishullin e tij privat në Karaibe. Fotografia e famshme e saj me Andrew dhe Maxwell, e realizuar gjatë një nate në klubin Tramp, u bë simbol i akuzave dhe tronditi opinionin publik në mbarë botën.

Fillimisht, Giuffre kishte firmosur një marrëveshje shtatëshifrore me Penguin Press – të njëjtën shtëpi që botoi edhe kujtimet e Princit Harry. Megjithatë, pas një lëvizjeje të një drejtuesi të lartë drejt shtëpisë botuese Knopf, projekti kaloi atje.
Botuesi Jordan Pavlin e përshkroi veprën si “një udhëtim të papërpunuar dhe tronditës – rrëfimi i një shpirti të pathyeshëm që lufton për liri”.

Sipas Knopf, dorëshkrimi i Giuffre-s ka kaluar në një proces rigoroz të verifikimit të fakteve dhe shqyrtimit ligjor, për të garantuar saktësinë dhe shmangien e kontestimeve të mundshme. Lajmi për botimin e librit erdhi pak ditë pas një interviste të Ghislaine Maxwell nga burgu në SHBA, ku ajo pretendoi se takimi i parë mes Andrew dhe Epstein ishte ndërmjetësuar nga Sarah Ferguson – jo ajo vetë.
Familja e Giuffre reagoi me zemërim, duke kritikuar qeverinë amerikane për lejimin e një “krimineli të dënuar të rishkruajë historinë”.

“Kjo është një parodi e drejtësisë që injoron përvojat e kaq shumë të mbijetuarve”, – thuhet në një deklaratë të përbashkët të familjarëve të Giuffre.

Top Channel