
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duhet ta ketë të qartë se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën nuk po zbehet, tha të hënën ministri i Financave dhe zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil, pasi mbërriti në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për një vizitë të paparalajmëruar.
“Putini nuk duhet të ketë iluzione se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën mund të ndalet”, tha Klingbeil, kryetar i Partisë Socialdemokrate, e cila është partnere e vogël në koalicionin qeverisës të udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz.
“Përkundrazi, ne mbetemi mbështetësi i dytë më i madh i Ukrainës në botë dhe më i madhi në Evropë”, theksoi Klingbeil.
“Ukraina mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e Gjermanisë”, shtoi ai.
Klingbeil i bëri thirrje Putinit të dëshmojë se është i interesuar për paqe në luftën më vdekjeprurëse në Evropë në 80 vjetët e fundit, e cila shpërtheu në shkurt të vitit 2022.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shtyrë për përfundimin e shpejtë të luftës, por Kievi dhe aleatët e tij shqetësohen se ai mund të përpiqet ta imponojë një marrëveshje sipas kushteve të Rusisë.
Klingbeil tha se Ukraina duhet të përfshihet në bisedime dhe se janë të domosdoshme armëpushimi dhe garancitë e besueshme të sigurisë për të pasur paqe të qëndrueshme.
“Për këtë qëllim, ne po bashkëpunojmë ngushtë në nivel ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Ndër opsionet e paraqitura këtë javë për sigurinë e Ukrainës pas një marrëveshjeje të mundshme të paqes, si presidenti francez, Emmanuel Macron, ashtu edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, shprehën mbështetje për dërgimin e trupave si pjesë e një koalicioni të vullnetit.
Merz gjithashtu ka treguar se Gjermania është e hapur për pjesëmarrje në këtë koalicion, por do të përballej me kundërshtime si nga brenda ashtu edhe nga jashtë spektrit të tij politik për këtë çështje.
Sipas Ministrisë së Klingbeilit, Qeveria gjermane e ka mbështetur Ukrainën me 50.5 miliardë euro që nga fillimi i luftës./REL
Top Channel