
Forca e Gardës Kombëtare të SHBA-së e vendosur në kryeqytetin federal Uashington filloi të mbante armë të dielën në mbrëmje, njoftoi Korpusi Rezervë i Forcave të Armatosura të SHBA-së, pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të dërguar ushtrinë në qytet për ta “pastruar” nga krimi.
Rreth 2,200 ushtarë të forcave speciale “filluan të mbanin armët e tyre të shërbimit”, tha korpusi në një deklaratë.
Këta ushtarë nuk janë të autorizuar të përdorin forcën, përveçse “si mjet i fundit në përgjigje të një kërcënimi të menjëhershëm me vdekje ose lëndim serioz trupor”, thuhet në dokument.
Presidenti republikan Trump pretendon se Uashingtoni ka pësuar një “pushtim bandash” dhe se vendosja e ushtrisë është e nevojshme për ta “pastruar atë”.
Ai kishte dërguar tashmë Gardën Kombëtare dhe qindra marinarë në Los Angeles në qershor, mes protestave të mëdha të shoqëruara nga incidente, kundër politikës së tij të emigracionit.
NEWEST ATTRACTION: Tourists pose with National Guard troops stationed near the Lincoln Memorial as part of President Trump’s crackdown on crime in Washington, D.C. pic.twitter.com/sm4flBVpDq
— Fox News (@FoxNews) August 23, 2025
Sipas statistikave të policisë në kryeqytetin amerikan, ndryshe nga pretendimet e presidentit, krimi i dhunshëm ra mes viteve 2023 dhe 2024. Megjithatë, kjo rënie pasoi një rritje të shpejtë të kriminalitetit menjëherë pas pandemisë së re të koronavirusit.
Donald Trump ka akuzuar vazhdimisht kryebashkiaken demokrate të Uashingtonit, Maryl Bowser, për publikimin e statistikave “të rreme” dhe ka kërcënuar se qeveria federale do të marrë kontrollin e plotë të qytetit.
Numri më i madh i ushtarëve të Gardës Kombëtare u dërgua në Uashington nga guvernatorë republikanë në shtetet Virxhinia Perëndimore, Karolina e Jugut, Ohajo, Misisipi, Luiziana dhe Tenesi.
Secretary Hegseth met with the National Guard at the Washington D.C. Armory to thank our brave warriors.
These Guardsmen are working around the clock to make Washington D.C. safe and beautiful. pic.twitter.com/iDsQo8sgIZ
— Department of Defense 🇺🇸 (@DeptofDefense) August 21, 2025
Rezervistët e Gardës Kombëtare raportojnë te guvernatori i secilit shtet amerikan dhe, në teori, mund të dërgohen vetëm në rast emergjence kombëtare, për shembull në një fatkeqësi natyrore, me kërkesë të qeverisë federale dhe me miratimin e guvernatorit.
Roli i tyre nuk është të ndërhyjnë për t’u marrë me krimin, trazirat apo protestat.
Përveç ushtrisë, në Uashington janë dërguar edhe anëtarë të agjencive federale të zbatimit të ligjit, veçanërisht FBI-ja, Agjencia për Imigracionin (ICE) dhe Administrata Kundër Drogës (DEA).
Trump përballet me akuza për “kriza të fabrikuara”
Kundërshtarët e akuzuan sërish Donald Trump të dielën për krijimin e “krizave të fabrikuara” për të dërguar trupa të Gardës Kombëtare në qytete të mëdha të qeverisura nga demokratët, ndërsa presidenti pretendon se krimi “i dominon” ato.
Kreu konservator i shtetit, 79 vjeç, i cili synon të zbatojë më tej programin e tij të ashpër për luftën kundër krimit dhe imigracionit, kërcënoi të dielën të dërgojë trupa edhe në qytetin e madh amerikan Baltimore, kryeqytetin e shtetit të Maryland, ku guvernatori është një veteran demokrat i luftës dhe afro-amerikan.
Në qershor, mijëra anëtarë të Gardës Kombëtare dhe Marinarë u vendosën në Los Angeles. Që nga 12 gushti, në kryeqytetin federal Uashington janë parë automjete ushtarake të parkuara përpara një stacioni qendror të transportit dhe në sheshin The National Mall, pranë institucioneve kombëtare dhe monumenteve historike.
Trump ka kërcënuar gjithashtu se do të dërgojë trupa dhe agjenci federale në qytetet e Çikagos (veri) dhe Nju Jorkut (verilindje), dy metropole ndër më të mëdhatë në SHBA. Edhe pse në teori, Garda Kombëtare mund të vendoset vetëm me kërkesën dhe miratimin e guvernatorit të shtetit përkatës, presidenti Trump ka shprehur synimin për të dërguar trupa pavarësisht këtij parimi.
“Donald Trump nuk ka asnjë bazë ligjore, asnjë autoritet për të dërguar trupa federale në Çikago”, tha Hakeem Jeffries, udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, për CNN.
“Duhet të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e ligjit lokal dhe nuk mund ta lejojmë Donald Trump të luajë me jetën e amerikanëve ose të krijojë kriza për të larguar vëmendjen nga dështimet e tij, pasi është jashtëzakonisht jopopullor”, shtoi ai.
Nga ana e tij, guvernatori demokrat i Illinois-it, J.B. Pritzker, shteti i të cilit përfshin Çikagon, theksoi nëpërmjet rrjetit X se “kemi punuar prej kohësh me agjencitë federale të zbatimit të ligjit” për të luftuar krimin në qytet, në rajonin e Liqeneve të Mëdha – një zonë e njohur më parë për aktivitetin kriminal ndërkombëtar.
“Por ne nuk do të lejojmë që një diktator të na imponojë vullnetin e tij”, shtoi Pritzker.
Guvernatori i Merilendit, Wes Moore, reagoi me një ton të ashpër ndaj mesazheve të Trump, duke e sfiduar atë në rrjetet sociale.
“Hej Donald, mund të të sigurojmë një karrocë golfi nëse kjo e bën më të lehtë shëtitjen në Baltimore për të parë vetë përparimin tonë në sigurinë publike”, shkroi Moore me ironi në X.
Baltimori, një qytet portual pranë Uashingtonit dhe vendi i serialit të njohur televiziv The Wire, prej kohësh konsiderohet si një qytet me nivele të larta kriminaliteti.
Trump reagoi nëpërmjet rrjetit të tij Truth Social, duke shkruar: “Supozoj se ai po flet për Baltimorin jashtë kontrollit dhe të mbushur me krime? (…) Nëse Wes Moore ka nevojë për ndihmë (…) unë do të dërgoj ‘trupat’, ashtu siç po bëj në Uashington, për të zhdukur krimin.”
Guvernatori Moore deklaroi për CNN dhe CBS News se ai “nuk do të autorizojë përdorimin e Gardës Kombëtare të Merilendit” për t’u përballur me krimin, pasi kjo do të ishte “jokushtetuese”.
Çfarë po planifikon Pentagoni?
Sa i përket Çikagos, gazeta Washington Post raportoi të shtunën se Pentagoni ka hartuar për javë të tëra plane për të zgjeruar praninë e Gardës Kombëtare, me sa duket për të luftuar krimin dhe imigracionin në qytetet e mëdha.
Departamenti i Mbrojtjes nuk ka bërë asnjë koment zyrtar për këtë çështje.
Ndërkohë, të premten, në Zyrën Ovale, presidenti Trump deklaroi: “Gratë e bukura afro-amerikane po më thonë: ‘Ju lutem, President Trump, ejani në Çikago.'”
Ai la të kuptohet se Çikago dhe Nju Jorku – metropoli ekonomik dhe kulturor i vendit – do të jenë në radhën e ardhshme për dërgimin e trupave federale.
Aktualisht, më shumë se 1,900 anëtarë të Gardës Kombëtare janë vendosur në Uashington, të dërguar nga shtete të kontrolluara nga republikanët, dhe së shpejti do do të jenë të armatosur, si dhe anëtarë të agjencive federale të zbatimit të ligjit, veçanërisht FBI-së , Zbatimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Administratës Kundër Drogës (DEA).
“Ne do t’i bëjmë qytetet tona të sigurta, shumë të sigurta”, këmbëngul Presidenti Trump.
Top Channel