
Në një takim të kohëve të fundit, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite (IDF), Eyal Zamir, është përplasur ashpër me ministrat e ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben Gvir, lidhur me mënyrën e trajtimit të popullsisë civile në Gazë.
Zamir ka theksuar se ushtria nuk është e sigurt se sa kohë do të duhej për të evakuuar civilët nga qyteti i Gazës, duke paralajmëruar se situata humanitare është shumë më e ndërlikuar nga sa paraqitet në skenën politike.
Por ministri i Financave, Smotrich, ka mbajtur një qëndrim të ashpër, duke kërkuar bllokimin total të Gazës: “Ne kemi urdhëruar një operacion të shpejtë. Sipas mendimit tim, ju mund t’i rrethoni. Ata që nuk evakuohen, mos i lini të largohen. Pa ujë, pa energji elektrike, ata mund të vdesin urie ose të dorëzohen. Kjo është ajo që duam ne dhe ju jeni të aftë ta bëni këtë”, deklaroi ai.
Që prej tetorit 2023, pas sulmit masiv të Hamasit ndaj Izraelit, ushtria izraelite nisi një ofensivë të gjerë tokësore dhe ajrore në Rripin e Gazës. Mijëra palestinezë kanë humbur jetën, ndërsa qytetet kryesore, përfshirë qytetin e Gazës, janë kthyer në shkatërrim të plotë.
Bllokada e vendosur nga Izraeli ka lënë mbi 2 milionë banorë pa furnizime bazë me ushqim, ujë dhe energji elektrike, duke shkaktuar një krizë të thellë humanitare.
Organizatat ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje të përsëritura për ndalimin e operacioneve dhe lehtësimin e korridoreve humanitare, por deri tani Izraeli ka refuzuar të tërhiqet.
Top Channel