
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të dërgojë trupa të Gardës Kombëtare në qytete të mëdha të drejtuara nga demokratët, përfshirë Chicagon dhe Nju Jorkun, duke e paraqitur këtë si një “goditje ndaj krimit”.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta politike në SHBA.
Guvernatori demokrat i Illinois, JB Pritzker, e ka cilësuar planin e presidentit si një “abuzim me pushtetin”, duke theksuar se nuk ka asnjë emergjencë që të justifikojë dislokimin e trupave federale në shtet. “Presidenti po përpiqet të prodhojë një krizë të rreme”, tha Pritzker në një deklaratë.
Edhe kryebashkiaku i Chicagos, Brandon Johnson, reagoi duke thënë se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për dislokimin e trupave dhe se qyteti ka “shqetësime të mëdha” për një ndërhyrje të tillë. Ai e quajti planin e presidentit “të paorganizuar, të panevojshëm dhe të papërgjegjshëm”, duke paralajmëruar se një “dislokim i paligjshëm” i trupave mund të rrisë tensionet mes banorëve dhe policisë dhe të rrezikojë progresin e bërë në uljen e kriminalitetit.
Ndërkohë, në Washington DC, ku janë dislokuar tashmë rreth 2,000 trupa të Gardës Kombëtare, sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi që ata të patrullojnë të armatosur, ndryshe nga sa ishte deklaruar më parë nga Pentagoni. Trupat aktualisht janë të vendosur pranë pikave kyçe të kryeqytetit, si National Mall dhe Union Station, por nuk kanë marrë pjesë në operacione policore.
Trump, nga Shtëpia e Bardhë, e quajti misionin në Washington “një sukses të madh”, duke thënë se kryeqyteti ishte kthyer nga një “hellhole” në një vend të sigurt, dhe paralajmëroi se mund të shpallë një gjendje emergjence kombëtare për të mbajtur trupat në terren përtej afatit 30-ditor.
Sipas mediave amerikane, rreth 1,700 trupa të Gardës Kombëtare pritet të dislokohen në 19 shtete të ndryshme në javët e ardhshme, me shumicën në Teksas, ku do të mbështesin edhe operacionet e Immigration and Customs Enforcement (ICE).
Operacioni është përshëndetur nga administrata Trump, e cila pretendon se vetëm në Washington janë kryer mbi 700 arrestime dhe janë sekuestruar 91 armë zjarri të paligjshme. Por anketimet e fundit tregojnë se ndërhyrja është thellësisht e papëlqyer nga banorët e kryeqytetit: sipas një sondazhi të Washington Post, gati 80% e tyre kundërshtojnë dislokimin e trupave federale dhe të Gardës Kombëtare.
Top Channel