Nga opozita në pushtet! Demokratët që iu bashkuan socialistëve në Vlorë, Deromemaj hapi rrugën e “eksodit blu”

24/08/2025 20:02

Largimi i Genc Deromemajt nga radhët e Partisë Demokratike dhe emërimi i tij në krye të Kadastrës së Vlorës bëri jo pak bujë.

Ish-kreu u degës së PD-së në Vlorë dhe pjesë e subjektit opozitar që prej vitit 2002, braktisi partinë e tij për postin drejtues në Kadastër, që iu besua pak javë më parë.

Por, një hulumtim i Top Channel zbulon se rrjedhjet nga Partia Demokratike e Vlorës janë të shumta. Figura të larta të PD-së, me kontribut të gjatë në parti, tashmë kanë ikur.

Zamira Sinaj, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe ish-drejtoreshë e Spitalit Psikiatrik të Vlorës gjatë kohës kur ky subjekt ishte në pushtet, tashmë është bërë pjesë e Partisë Socialiste, duke u zgjedhur edhe deputete në parlamentin e ardhshëm. Për më tepër Sinaj më 11 Maj ishte në listën e sigurt të PS-së.

Edhe shumë emra të tjerë, që kanë qenë anëtarë të Partisë Demokratike, sot janë bërë pjesë e administratës publike, të drejtuar nga socialistët. Nënkryetarja e Bashkisë së Vlorës, Klea Lalo, vjen nga radhët e demokratëve, ashtu si edhe tre këshilltarët e kryebashkiakut socialist, Ermal Dredha: Sokol Kuçi, Erdet Mandi dhe Saimir Haxhiu. Po ashtu, Spitali i Vlorës drejtohet nga një ish-demokrate, Julinda Çuni, ndërsa Tatimet nga Bled Taushani, dikur pjesë e strukturave të PD-së.

Për kreun e Partisë Demokratike në Vlorë, Hysni Sharra, emërimi i demokratëve në poste drejtuese ka qenë zgjedhje e vetë atyre.

Rrjedhjet nga Partia Demokratike u komentuan dhe nga ish-kreu i degës së Vlorës, kandidat në listat e mbyllura më 11 Maj, por që nuk mundi të fitonte mandat, Atird Hoxha, i cili i sheh ikjet si plan të Ramës për të dobësuar PD-në.

Vlora njihet si një bastion i majtë, që në çdo cikël zgjedhor ja ka besuar qeverisjen Partisë Socialiste.

Demokratët që morën poste drejtuese në Vlorë

Genc Deromemaj – Drejtor i Kadastrës

Zamira Sinaj – Deputete e PS

Klea Lalo – Nënkryetare e Bashkisë Vlorë

Kozma Mali – Drejtor i Financave në Bashki

Sokol Kuçi – Këshilltar i Kryetarit

Erdet Mandi – Këshilltar i Kryetarit

Saimir Haxhiu – Këshilltar i Kryetarit

Bled Taushani – Drejtor i Tatimeve

Julinda Çuni – Drejtoreshë e Spitalit

Top Channel