Hekuran Murati dhe Arbëria Nagavci, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetarë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo ishte hera e dytë që Murati kandidonte për këtë post, ndërsa Nagavci për herë të parë.

Pas dështimit të kandidatëve të LVV-së, partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit propozoi deputetin Dimal Basha për kryeparlamentar.

Para seancës, partitë politike që kishin qenë në opozitë gjatë mandatit të kaluar, konfirmuan vendosmërinë për të mos mbështetur kandidatët e LVV-së.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimeve Musliu, deklaroi se nuk do të votojë asnjë kandidat të propozuar nga Vetëvendosje, duke argumentuar se kjo parti “ka mbajtur peng shtetin” që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ky ishte raundi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, ndërsa situata mbetet ende e paqartë për kryesinë e Kuvendit.

Top Channel