
Qeveria britanike ka njoftuar një reformë të madhe në sistemin e apelimeve për azil, në përpjekje për të reduktuar numrin e emigrantëve që strehohen ndërsa presin vendimin përfundimtar.
Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, deklaroi se po ndërmerren hapa praktikë për të eliminuar vonesat e papranueshme. Një organ i ri, i përbërë nga gjykatës të pavarur, do të krijohet për të shqyrtuar apelimet më shpejt se sistemi aktual gjyqësor.
Qeveria është nën presion të madh për të ulur varësinë nga hotelet për strehimin e azilkërkuesve, ndërsa protestat që u zhvilluan fundjavën e fundit në qytete të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar janë dëshmi e zemërimit publik ndaj politikës.
Sipas të dhënave zyrtare, 32,000 persona ende janë strehuar në hotele. Ndërkohë, mesatarisht, duhen më shumë se një vit për të shqyrtuar një apel dhe aktualisht janë 51,000 raste që presin vendim, të gjitha të mbuluara me para publike.
Ministrja Cooper tha se edhe pse vendimet fillestare janë përshpejtuar, apelimet kanë krijuar ngërç. Zgjidhja që propozohet është ngritja e një paneli të ri me gjykatës të pavarur që do të veprojnë më shpejt se gjykatat tradicionale. Qeveria ka premtuar të japë më shumë detaje për këtë reformë në vjeshtë.
Nga ana tjetër, Këshilli për Refugjatët deklaroi për BBC se mënyra më e mirë për të ulur apelimet është “që vendimi i parë të jetë i saktë”. Përfaqësuesi i tyre, Imran Hussain, tha se rreth gjysma e apelimeve fitojnë sepse vendimi fillestar është “i gabuar në thelb”.
Fundjava shënoi një valë protestash në vende të ndryshme si Bristol, Liverpool, Londër, Mold (Uells), Perth (Skoci) dhe County Antrim (Irlanda e Veriut). Policia ndërhyri në disa raste për të ndarë grupet kundërshtare, dhe pati të paktën 15 arrestime, përfshirë një grua në Bristol që dyshohet se sulmoi një punonjës emergjence.
Të dielën, protestues u mblodhën jashtë një hoteli Holiday Inn në Birmingham, ku disa u panë duke hyrë nga dera apo ngjitur në shtylla pranë godinës. Në Londër, policia ruante hyrjen e hotelit Britannia në Canary Wharf, ku rreth 20 persona protestonin.
Top Channel