Udhëheqësi i partisë së ekstremit te djathtë në Britani si Trump, paralajmëron deportime masive të emigrantëve

23/08/2025 17:42

Udhëheqësi i partisë së djathtë ekstreme Reform UK, Nigel Farage, ka shpallur planet e tij për një qasje radikale ndaj imigracionit nëse partia e tij formon qeverinë.

Në një intervistë për The Times, Farage tha se synon të tërheqë Mbretërinë e Bashkuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të nënshkruajë marrëveshje me vende si Afganistani dhe Eritrea për riatdhesimin e azilkërkuesve.

Farage tha se nuk është i shqetësuar për pasojat që mund të përballen azilkërkuesit në vendet e origjinës, por për rrezikun që ai beson se ata paraqesin për qytetarët britanikë. “Nuk mund të jem përgjegjës për regjimet tiranike në botë. Por mund të jem përgjegjës për sigurinë e grave dhe vajzave në rrugët tona,” deklaroi ai.

Ai u shpreh se do t’i japë fund të drejtës për të kërkuar azil për personat që hyjnë ilegalisht me varka të vogla dhe do të ndërtojë struktura paraburgimi për 24,000 migrantë në bazat ajrore, me një kosto prej 2.5 miliardë paundësh. Gjithashtu, ai parashikon pesë fluturime deportimi në ditë dhe qindra mijëra deportime në total.

Në rast se planet e tij hasin pengesa, Farage tha se emigrantët do të dërgohen në Ishullin Ascension në Atlantikun Jugor, për të dhënë një “mesazh simbolik”.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur sondazhet tregojnë se çështja e emigracionit dhe azilit është një nga shqetësimet kryesore për publikun britanik. Reform UK ka parë rritje në sondazhet e fundit pavarësisht se fitoi vetëm pesë vende në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Vitin e kaluar, rreth 37,000 migrantë, kryesisht nga Afganistani, Siria, Irani, Vietnami dhe Eritrea, kaluan Kanalin Anglez me varka të vogla – një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2023. Sipas Universitetit të Oksfordit, rreth dy të tretat e këtyre emigrantëve përfitojnë azil, ndërsa vetëm 3% deportohen.

Top Channel