
Policia në Indi ka arrestuar një burrë me akuzën e dëshmisë së rreme, pasi ai u tha mediave se kishte varrosur qindra gra, përfshirë vajza, të cilat ishin përdhunuar dhe vrarë në një vend të shenjtë.
Akuzat kanë shkaktuar zemërim në shtet dhe më gjerë, me autoritetet që kanë ngritur një komitet të posaçëm për të hetuar. Burri tha se ishte nën presion për të varrosur trupat në pjesë të ndryshme të faltores në qytetin Dharmasthala në shtetin Karnataka.
Ai ishte paraqitur para autoriteteve në fillim të korrikut për të folur rreth asaj që ndodhi kur punonte si pastrues në faltore nga viti 1995 deri në vitin 2014. Ai përmendi konkretisht pesë incidente, por tha se kishte shumë të tjera, raporton BBC.
Burri, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, shfaqet në publik i veshur me rroba të zeza, një kapuç dhe një maskë që i mbulon të gjithë fytyrën.
Ai i dha hetuesit një kafkë që tha se ishte nga një trup që e kishte varrosur, por që e kishte gjetur së fundmi. Autoritetet thonë se kafka nuk ishte nga vendi ku ai pretendon se i kishte varrosur trupat.
Është interesante se kërkimet e autoriteteve pranë qytetit gjetën një kafkë dhe disa fragmente kockash.
Ai akuzoi në mënyrë të paqartë administratën e faltores për krimet, pa përmendur askënd. Faltorja është drejtuar për shumë vite nga familja e fuqishme Hegde, e cila i hedh poshtë të gjitha akuzat dhe thotë se mirëpret çdo hetim.
Pas vitit 2014, pastruesi filloi të fshihej, por kohët e fundit ai doli në sipërfaqe sepse heshtja e tij i rëndonte ndërgjegjen.
Top Channel