“Një mik vërtet i rrallë dhe i paharrueshëm”, Lulzim Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit: Shqipëria dhe shqiptaria janë sot më të mpakur se dje

23/08/2025 21:39

Me një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, Lulzim Basha ka reaguar pas lajmit të vdekjes së parakohshme të gazetarit Artur Zheji.

Basha e kujton Zhejin si një intelektual i shquar dhe erudit i pashoq, që do t’i mungojë publikun.

Reagimi i plotë:

I pabesueshëm lajmi për ndarjen e Artur Zhejit nga jeta, një mik vërtet i rrallë dhe i paharrueshëm.

Intelektual i shquar dhe erudit i pashoq, me një formim kulturor unik që nuk mund ta prisje përveçse nga biri i vetëm i Petro Zhejit, jeta i fali Arturit një përvojë të pasur dhe të veçantë për brezin e tij, duke i fshirë çdo deprivim të zakonshëm për bashkëmoshatarët e tij të rritur pas perdes së hekurt dhe izolimit të gjithanshëm. E prapë brenda tij Turi mbante gjithmonë gjallë çunin e hedhur të Tiranës, luftëtar dhe gjuhëmprehtë.

Me thellësinë e dramaturgut dhe bisturinë e mendjes politike, me patriotizëm të kulluar dhe sarkazëm të mprehtë kozmopoliti, Zheji provokonte gjithmonë një ndjesi të jashtëzakonshme mirëqenieje intelekti dhe shpirti të cilën, tani që ai nuk është më mes nesh, na mbetet ta ruajmë vetëm si një kujtim të çmuar.

Fatet e kombit ishin përherë në zemër të jetës publike dhe publicistikës pa kompromis dhe me kurajo të Zhejit. Shqipëria dhe shqiptaria janë sot më të mpakur se dje.

Mendimet dhe lutjet e mia dhe të Aurelës shkojnë së pari, për Klodin, bashkëudhëtaren e palodhshme të Turit, dhe për fëmijët e tij, Besianën, Patrikun dhe Gerin. Familja ishte dashuria e madhe e jetës së Turit.

Do të mungosh shumë të gjithëve. U prehsh në paqe, mik i paharrueshëm!

Top Channel