Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike serbe në Kosovë, Lista Serbe dhe Demokracia Serbe  për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në një deklaratë, BE-ja shprehu keqardhje për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“BE-ja është e zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike të serbëve të Kosovës. Është për keqardhje qëndrimi i Vetëvendosjes gjatë procesit të certifikimit. Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve të ardhshme lokale është kyç për të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Sipas BE-së, përjashtimi i cilitdo aktor politik bie ndesh me parimet e demokracisë. BE-ja ka thënë se do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër zhvillimet.

Shqetësim për vendimin e KQZ-së shprehën edhe shtetet e QUINT-it e zyra e BE-së në Kosovë. Në një reagim të publikuar pasdite, QUINT-i e cilësoi minim të demokracisë vendimin për moscertifikim.

Lista Serbe është partia kryesore e serbëve të Kosovës. Ajo mban lidhje të forta me Serbinë, ndërkaq zyrtarë të saj që zgjidhen në institucione të Kosovës në shumë raste kanë mbajtur edhe funksione në institucionet paralele të Serbisë, që funksionojnë ilegalisht në Kosovë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të organizuar në 2023-tën në Banjskë të Zveçanit, e në të cilin morën pjesë rreth 50 persona të armatosur. Pas sulmit, ai dha dorëheqje nga partia dhe ndodhet në Serbi.

 

Top Channel