
Batalionet e muxhahedinëve veprojnë në mënyrë autonome. Vlerësimet flasin për 20-30 mijë militantë, ndoshta jo shumë të stërvitur, por që mësojnë çdo ditë në fushën e betejës.
Si edhe herë të tjera, luftëtarët dolën nga një tunel pranë një ndërtese të kthyer në postë izraelite në Khan Younis, në jug të Gazës. Ushtarët u zunë në befasi dhe reaguan vetëm pasi muxhahedinët hapën zjarrin. Pasoi një betejë që zgjati tre orë, me 15 militantë të vrarë, mes tyre një që u shtyp nga një tank ndërsa tentonte të qëllonte me raketë antitank. Tre ushtarë u plagosën.
Hamas e lëvdoi operacionin duke folur edhe për një akt vetëflijimi. Me siguri ishte një mision pa kthim, i destinuar për martirizim. IDF, nga ana tjetër, hapi një hetim për të zbuluar pse nuk u dha alarmi. Galeria e përdorur nga komandoja ishte e njohur dhe pjesërisht e neutralizuar, por «gërmuesit» – sipas versionit zyrtar – hapën një dalje dytësore dhe arritën të godisnin. Ishin të armatosur mirë, kishin edhe një barelë që ndoshta donin ta përdornin për të transportuar një të zënë rob. Pikërisht për këtë arsye, inteligjenca dha paralajmërim: fraksioni kërkon të tregojë forcën e vet duke kapur pengje gjatë ofensivës së re të vendosur nga Tel Avivi.
Përplasja ndodhi në Khan Younis, sektor ku ushtria kishte manovruar prej muajsh dhe duhej të kishte më shumë kontroll. Megjithatë, sulmuesit dolën sërish nga nëntoka duke përdorur një mënyrë të konsoliduar. Tani pyetja është çfarë mund të ndodhë në Gaza City, objektivi i ardhshëm i fushatës.
Izraelitët, ditët e fundit, kanë nënvizuar rezultatet e arritura. Që nga marsi janë vrarë 2100 kundërshtarë, duke e dobësuar Hamasin nga njerëzit më të aftë. Batalionet – të rralluar – veprojnë në mënyrë autonome, megjithatë ekziston ende një hierarki e drejtuar nga Ezzedine al Haddad, sot në komandë.
Vlerësimet flasin për 20-30 mijë të armatosur, ndoshta jo shumë të trajnuar por që mësojnë çdo ditë në terren. Sipas një hetimi të BBC-së, lëvizja do të ishte në gjendje të paguante paga për mijëra «punonjës». Shuma më të vogla se në të kaluarën, por gjithsesi të vlefshme në këtë gjendje emergjence. Burime të cituara nga televizioni britanik thonë se Hamas, në prag të 7 tetorit, pati fshehur miliona dollarë në para të gatshme.
Formacioni sulmoi me njësi të ndara dhe la një grup zjarri, të pajisur me mitraloz, për të mbrojtur galerinë. Momente të regjistruara nga një dron. Video të tjera, të lidhura me episode të ngjashme, treguan se luftëtarët veprojnë në ekipe shumë të vogla për të vendosur eksplozivë, për të qëlluar me mortaja dhe pushkë snajper.
Disa mbulohen me çarçafë ngjyrë betoni për t’u kamufluar mes grumbujve të rrënojave. Shtëpitë e rrafshuara nga artileria, ashtu si edhe malet me mbeturina, bëhen «mbrojtje» të përdorura për t’iu afruar sa më pranë pozicioneve të IDF. Ushtarët qëndrojnë të mbyllur brenda blindave, gjë që i ekspozon ndaj minave magnetike të vendosura nga militantët që, duke përdorur tunelet dhe zigzagun mes «kodrinave» të dheut, arrijnë deri poshtë tankeve. Nuk është vetëm propaganda e gueriljes që e rrëfen këtë, por edhe video të shkurtra që e konfirmojnë.
Shtabi i Përgjithshëm izraelit frikësohet nga kurthet e Gaza City, ndaj mund të rrethojë zonat dhe më pas të kalojë në «pushtim»: ekspertët parashikojnë shkatërrime masive, pasoja të rënda për civilët dhe shumë viktima që do t’i shtohen dhjetëra mijërave që prej fillimit të konfliktit. Një tragjedi pa fund. Dhe është sërish inteligjenca – sipas mediave – që kujton se fraksionet palestineze mund të mbështeten gjithmonë te tunelet. Duket e pamundur, por ata do të kishin ndërtuar të reja, do të kishin rihapur disa të dëmtuara pjesërisht dhe përdorur kalime paralele të pazbuluara. Është e vështirë të vlerësohet vërtetësia e këtyre deklaratave sepse të dyja palët, për arsye të ndryshme, këmbëngulin mbi rëndësinë/shtrirjen e tuneleve.
Megjithatë, ajo që ndodhi më 20 gusht me daljen në Khan Younis është një provë indirekte e efektshmërisë së qëndrueshme të galerive. Të njohura, të studiuara, ndoshta të nënvlerësuara. Por po aq e vërtetë është që përballja me këtë kërcënim është e ndërlikuar kudo, dhe në Rripin e Gazës edhe më shumë, sepse Hamas ka investuar shumë, ka fituar teknika dhe ka përgatitur elemente prej dekadash, ndërsa IDF është detyruar gjithmonë të ndjekë.
Top Channel