
Moska përfiton nga periudha para shirave për të pushtuar sa më shumë territor, e bindur se do t’i mbetet kur të vijë koha të negociohet armëpushimi.
Avancime për disa kilometra nga grupe të vegjël ushtarësh, marshime nëpër pyje, patrulla të fshehura në bodrumet e shtëpive, celularë dhe mini-dronë: lufta në Donbas po ndryshon me shpejtësi. “Nuk luftohet më vetëm nga llogoret, artileritë kanë më pak rëndësi, dominojnë dronët dhe njësitë e këmbësorisë, të cilat ende përfitojnë nga gjethëzimi i dendur i verës”, na tregon një oficer ukrainas që lëviz mes zonave të frontit të Chasiv Yar. Në tre vjet e gjysmë kemi kaluar nga përplasja konvencionale mes këmbësorëve të ngujuar në llogore, topave dhe tankeve, tek ky duel mes iniciativave individuale të rreshterëve e kapitenëve në fushë, rezistencës fizike dhe përdorimit të teknologjive të reja.
Risia e shpallur nga Shtabi i Përgjithshëm i Kievit, megjithë qëllimin e pashmangshëm propagandistik, është se ofensiva e nisur nga komandat e Moskës më 4 gusht do të ndodhte. Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm ukrainas, gjeneralit Oleksandr Syrsky, përforcimet e dërguara në fushat mes Pokrovsk dhe Dobropillya, do arrinin të ndalonin infiltrimet. “Shohim edhe nga tonet e rrjeteve sociale ushtarake ruse që mesazhet triumfuese të disa ditëve më parë janë shndërruar në ankesa”. Syrsky sinjalizon se në dy javë trupat elitë ruse kanë humbur mbi 1.000 njerëz dhe vetëm në tre ditët e fundit 206 të vrarë, përveç shkatërrimit të 3 tankeve, po aq automjeteve të blinduara, 12 topave, 35 dronëve, 24 makinave e motorëve. Nuk është e qartë sa janë humbjet ukrainase, e mundshme që edhe ato të jenë të mëdha.
“Komandat e tyre kanë mësuar nga gabimet fillestare. Po tregohen të shkathët dhe inovativë. Dronët e modelit të ri, të ndërtuar falë komponentëve elektronikë kinezë, japin një ndihmë të madhe dhe krijojnë probleme të mëdha”, na thotë Mykhailo Kmytiuk, një komandant batalioni që tani ndodhet në frontin e Zaporizhias, por drejton gjithashtu disa njësi elitë në Pokrovsk. Risia janë komandot që nuk i kalojnë dhjetë ushtarë dhe janë infiltruar në prapavijat ukrainase. “Kanë shfrytëzuar terrenin e Donbasit të shënuar nga humnera, lumenj, pyje të dendura që e bëjnë të vështirë patrullimin me dronë. U desh kohë për t’i nxjerrë prej andej”, pranon komunikata e Syrskyt. Lëvizja në këmbë ndihmon për t’iu shmangur vëzhgimit nga qielli, edhe vetë ukrainasit kanë braktisur tanke të blinduar, kryesisht qëndrojnë të fshehur në bodrume, përzihen me fshatarët.
Rusët vazhdojnë të shtyjnë. Strategjia e Putinit synon të përfitojë nga periudha e fundit para shirave për të pushtuar sa më shumë territor, me bindjen se më pas do t’i mbetet kur të negociohet armëpushimi dhe procesi eventual i paqes. Dhe ndërkohë intensifikohen bombardimet. Aviacioni ukrainas sinjalizon se natën e fundit rusët kanë lëshuar 577 dronë dhe rreth pesëdhjetë raketa mbi të paktën 11 lokalitete, mes tyre Lviv dhe Odessa. U godit gjithashtu një kompani civile amerikane në Karpate. Dronët ukrainas shkaktuan zjarre në të paktën dy rafineri në Rusi. “E shihni mirë që rusët nuk duan ta mbarojnë këtë luftë. Bombardojnë, nisin ofensiva”, komenton Zelensky, për të cilin është e qartë se Putini i shmanget takimit të drejtpërdrejtë me të, për të cilin kishte folur Trump në samitet e fundit në Alaska dhe në Shtëpinë e Bardhë. Dhe shton: “Shenjat që vijnë nga Rusia janë të turpshme, ata nuk duan paqen”.
Top Channel