Marrëveshja Ukrainë-Rusi, kryediplomatja e BE: Territoret, “kurth” i Putinit, do marrë e s’do japë gjë!

22/08/2025 11:35

Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas paralajmëron të mos detyrohet Ukraina që t`i lëshojë Rusisë territore paqeje.

Kallas i tha programit Today të BBC-së se koncesionet e territoreve janë në fakt “kurthi në të cilin Putini dëshiron që të hyjë Perëndimi”.

Rajoni i Donbasit në Ukrainën lindore është kontestuar prej kohësh nga Moska, me agresion ushtarak që detyroi 1.5 milion ukrainas të largohen gjatë dekadës së fundit. Kievi vazhdimisht e refuzuar lëshimin e Donbasit në këmbim të paqes, pavarësisht se Trumpi e sheh si “të domosdoshme” një lëvizje të tillë. Kallas – e cila është vendosur në “listën e të kërkuarve” të Kremlinit – foli gjithashtu gjatë për nevojën e garancive “të besueshme dhe të forta” të sigurisë për Ukrainën.

Ajo pranoi se nuk kishte shumë “hapa konkretë” për një forcë penguese në këtë fazë të negociatave. “Garancia më e fortë e sigurisë është një ushtri e fuqishme e Ukrainës”, insistoi ajo, duke nënvizuar rëndësinë e vendosjes së garancive që “nuk do të mbeten vetëm në letër”.

Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka propozuar një plan të saj për paqen në Ukrainën, i cili kërkon që aleatët e Kievit të vendosnin brenda 24 orëve nga një sulm rus nëse do të angazhojnë trupa apo jo.

Plani i Melonit është  i ngjashëm me klauzolën e mbrojtjes kolektive të Nenit 5 të NATO-s, thanë burime për Bloomberg, të cilat sqaruan po ashtu se propozimi i shefes së ekzekutivit italian nuk përfshin anëtarësimin e Ukrainës në aleancën veri-atlantike.

Top Channel