
Serhii Kuznietsov, 49 vjeç, është ish-kapiten ushtrie në pension, si dhe ish-anëtar i shërbimeve sekrete SBU (Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës). Ekuipazhi përbëhej nga civilë dhe ushtarakë: një jaht 15 metra i marrë me qira.
Ai ishte komandanti. Në atë mision, ku ishin nisur gjashtë vetë, një ekuipazh i vogël civilësh dhe ushtarakësh në bord të një jahti me vela për të minuar gazsjellësin Nord Stream, Serghei Kuznietsov ishte kreu i misionit. Dhe duket e pabesueshme që një nga sabotimet më të mëdha në histori, një akt që shënoi fazat e para të luftës në Ukrainë, të ishte kryer mbi një anije 15 metra, “Andromeda”, e marrë me qira në Rostock të Gjermanisë. Por ajo që tashmë etiketohet si një operacion i Kievit — për të cilin dihet shumë nga hetimet, rrjedhjet e informacionit dhe zbulimet gazetareske — që nga fillimi ishte një operacion i paimagjinueshëm.
Kështu e tregoi një oficer ukrainas që mori pjesë në ideimin e tij, për Bojan Pancevskin, reporterin e Wall Street Journal:
«Unë gjithmonë qesh kur lexoj spekulimet e mediave mbi operacione gjigante të supozuara, që përfshijnë shërbime sekrete, nëndetëse, dronë dhe satelitë. E gjithë çështja lindi një natë teksa pinin, dhe nga vendosmëria e hekurt e një grushti njerëzish që patën guximin të rrezikojnë jetën për vendin e tyre».
Trezëqind mijë euro, të nxjerra nga biznesmenë: aq do të kishte kushtuar shpërthimi i gazsjellësit të Putinit. Ishte një grup i përbërë nga oficerë të lartë, miliarderë dhe miq: gjurmët e tyre, megjithatë, çojnë deri te ish-komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase, gjenerali Valeriy Zaluzhny, i cili thuhet se dha miratimin e tij. Për këtë, të paktën, janë të bindur hetuesit gjermanë.
Serhii Kuznietsov — Sergeii K. për mediat gjermane, që nuk zbulojnë identitetin e tij të plotë — 49 vjeç, është ish-kapiten i ushtrisë në pension, ish-anëtar i shërbimeve sekrete SBU, pjesëtar i njësisë elitë që në muajt e parë të luftës në 2022 mbrojti Kievin nga sulmi rus, sipas Wall Street Journal. Ekipi i tij u nis nga Rostock më 7 shtator, drejt ishullit danez Bornholm, duke kaluar nga Polonia dhe Suedia. Në bord kishte katër zhytës civilë ekspertë — përfshirë edhe një grua, e rekrutuar për ta bërë daljen të dukej si një shëtitje miqësore — dhe dy ushtarakë elitë.
Ata kishin pajisje zhytjeje, një sonar portativ dhe harta open source për të lokalizuar tubacionin, i vendosur 80 metra nën det. Është hamendësuar se ata bënin zbritje në çifte, në ujëra shumë të ftohta, me kohëzgjatje 20 minuta: që do të thotë se në ngjitje duhej një dekompresim prej 3 orësh dhe 24 orë pushim. Por është e mundur që zhytjet të kenë qenë më të shkurtra, me pushime 4-5 orëshe.
Gazsjellësi shpërtheu më 26 shtator, duke gjeneruar aq CO₂ sa prodhon Danimarka në një vit: tre nga katër tubacionet u shkatërruan. Por gjatë arratisjes, përsëri përmes Rostock-ut, ekipi bëri një gabim. Jahti Andromeda nuk u pastrua siç duhej. Dhe nga fundi i detit, hetuesit gjermanë kanë rikuperuar gjurmë, «material njerëzor», ADN, që çuan në rindërtimin e identiteteve të tyre.
Kush e dinte për planin? Është shkruar se Zelensky fillimisht dha miratimin, dhe kur CIA e interceptoi përgatitjen e bllokoi. Por gjenerali Zaluzhny nuk iu bind (Zelensky-t thuhet se i ka thënë: «Është si të ndalosh një silur: sapo të nisë, mund të presësh vetëm shpërthimin»). Megjithatë, gjenerali gjithmonë e ka mohuar dhe gazetarëve që e pyetën u përgjigj: «Ky është një provokim».
Pak ndihmë ka ardhur për prokurorët nga shërbimet gjermane. Megjithatë, në tre vjet ujërat kanë lëvizur. Një vit më parë një zhytës u identifikua në Poloni: u lëshua urdhër arresti ndërkombëtar, por i kërkuari u paralajmërua dhe iku në Ukrainë.
Arrestimi në Itali është pra i pari për Nord Stream. Një ish-agjent sekret dhe kapiten ushtarak, me lidhje shumë të fuqishme në Kiev, i cili zyrtarisht nuk ka bërë asgjë dhe që mori pjesë në një operacion që nuk ekziston, ndodhet në një burg në Bolonjë. Do të jetë një telash i madh për marrëdhëniet e Italisë me Kievin. «Një operacion i jashtëzakonshëm», e quajti ministrja gjermane e Drejtësisë. Sergeii K., sipas pak informacionit të dalë, është identifikuar nga hetuesit federalë ndërsa blinte biletën e avionit, nga Polonia drejt Rivierës, dhe më pas u prit në kurthin italian. Lajmi u shpërnda nga prokurorët gjermanë herët në mëngjes: më mirë të mos prisnin, ishin djegur një herë më parë, në Poloni.
Top Channel