
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në promovimin e librit për Ibrahim Rugovën, ka ndarë kujtime mbi figurën e presidentit historik të Kosovës.
“Ai arriti të krijojë një unitet që Kosova nuk e ka pasur kurrë më parë, të gjithë ishin bashkë në projektin e tij për pavarësinë,” u shpreh Berisha.
Sali Berisha: Presidenti Ibrahim Rugova është një nga figurat më të ndritura të historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Dhe natyrisht të flasësh për veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, duhet të zgjedhësh planin në të cilin do e trajtosh atë. Unë nuk do merrem me historinë, por do merrem me disa nga habitë e mëdha të këtij gjeniu të politikës shqiptare.
Më rrafshin filozofik, Ibrahim Rugova është shtetari i habive të mëdha. Ky pasardhës i një familje atdhetare, i një familje qëndrestare, zgjodhi në krye të radhës jo pushkën, por gandizmin. Zgjedhje të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë ndonjë shqiptar në histori. Zgjedhje të cilën ndoshta në Ballkan jo e jo, por edhe në Europë nuk ishte regjistruar.
Dhe me këtë zgjedhje, Ibrahim Rugova zgjodhi çelësin e artë për të hapur çdo derë. Por edhe mendjet e atyre që e donin dhe nuk e donin. E atyre që e besonin në projektin e tij dhe e kundërshtonin projektin e tij. Po e përsëris prapë. Ishte maji i vitit 1992. Në Stamboll, në nismën e Detit të Zi takohem me kryeministrin e Greqisë, Konstandin Micotaqis, një njeri që kishte mbështetur PD në themelimin e saj, por që siç ishte trashëgimia 45-vjeçare e marrëdhënieve, natyrisht kishte edhe problematikat e veta.
Në bisedë e sipër më kërkoi të takoja patriarkun. Jo, i thashë unë, se ne jemi një vend plurireligjioz dhe nuk më shkon mua të bëj vizita përveçse Vatikani që është shtet, tek të tjerat unë respektoj pluralitetin fetar të vendit tim.Mirë, tha.
Tani, kërkesa ime. Të presësh presidentin Ibrahim Rugova. Po pse ta pres, më tha. Ta presësh se ai është themeluesi i partisë së parë antikomuniste në Ballkan dhe ti je një antikomunist i njohur. Ta presësh, i them unë prapë, se ai ka filozofinë e paqes. Ai udhëheq një popull të robëruar, një popull që kështu e ka historinë ai, edhe me luftëra dhe pushtime, por ai ka dalë me mantrën paqësore të zgjidhjes.
I them, e treta, ti nuk mund të injorosh dy milionë shqiptarë aty. Jemi dakord, dakord më tha.
Dhe ky, i ndjerë tani, u bë kryeministri i parë që do priste presidentin Rugova në Selanik.
Habia e dytë e madhe e Ibrahim Rugovës ishte një bashkim i shqiptarëve, i paparë në tërë historinë e tyre.
Në tërë historinë e kombit. Edhe ato sythe pluraliteti në Kosovën e pushtuar, që të gjitha ishin një mbështetje e presidentit Rugova dhe projektit Rugova. Pra, arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur. Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur.
Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov.
Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës.
Një njeri i civilizuar me një kulturë të gjerë, që fliste shumë më pak për politikë se sa për universin kulturor. Ibrahim Rugova bënte për vete të gjithë bashkëbiseduesit, përveçse tek politikanët që nuk binin dakord me projektin e pavarësisë së Kosovës, çka për atë nuk përbënte asnjë lloj obligimi për t’u tërhequr, sepse e ka përshkruar në mënyrën më të shkëlqyer Madlen Ollbrajt, kur thotë se Dhomën Ovale, i thotë presidenti Klinton, që donte ta ndihmonte: Ibrahim, tani atë pavarësinë e kam të pamundur, por kërko diçka tjetër dhe unë jam i gatshëm ta realizoj.
Ibrahimi rri, mendon dhe mendon dhe thotë: president, vetëm pavarësia zgjidh problemin.
Klintoni qeshi.
Top Channel