Republikanët ‘i luten’ Trumpit: Mos iu nënshtro Putinit, mund të përfitojë shumë

21/08/2025 09:54

Ligjvënësit republikanë kanë reaguar pozitivisht ndaj presidentit Donald Trump për takimin me Vladimir Putinin dhe përpjekjet për ta futur liderin rus në një dhomë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Por, ndërsa administrata e Trump sugjeron – të paktën teorikisht – mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, sado e pamundur të duket ajo, diçka tjetër po përshkon komentet e shumë republikanëve: një frikë jo aq të fshehur se Putin mund të përfitojë tepër.

Në ditët e fundit, shumë republikanë dhe aleatë mediatikë të Trump kanë shtuar paralajmërime, duke e nxitur që të tregojë më shumë skepticizëm dhe ashpërsi ndaj Putinit sesa ka shfaqur publikisht.

Dhe shumë prej tyre janë shprehur hapur se kanë frikë se procesi mund të përfundojë si një “fitore” për Putinin – një shqetësim që, sipas sondazheve, e ndajnë edhe shumë amerikanë.

Duket qartë se shqetësimi i tyre është që presidenti, i cili për vite me radhë ka trajtuar Putinin me “doreza të buta”, mund të japë shumë vetëm për të përfunduar luftën.

Askush nuk ka qenë më i drejtpërdrejtë për këtë sesa senatori Thom Tillis.

Gjatë një interviste të mërkurën në “CBS Mornings”, republikani nga Karolina e Veriut tha se ishte e qartë që Putin po e “shëtit” Trump-in dhe paralajmëroi kundër “edhe një fitoreje të vogël” për liderin rus.

“Provokimi i Putinit është frika se një ish-satelit sovjetik mund të bëhet një demokraci perëndimore e suksesshme. Kjo do të shënojë fillimin e fundit të përvojës së tij të dështuar totalitare komuniste,” tha Tillis, i cili nuk do të rikandidojë për rizgjedhje vitin e ardhshëm.

“Dhe t’i japësh atij qoftë edhe një fitore të vogël i jep jetë bindjes së tij se kjo botë duhet të jetë nën sundim totalitar.”

Të tjerë kanë qenë më të kujdesshëm, por gjithashtu kanë ngritur shqetësime serioze për çfarë mund të japë Trump në negociata.

Senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut ka paralajmëruar vazhdimisht se çdo “shkëmbim toke” duhet të thotë vetëm njohje faktike e pushtimit rus, jo dorëzim zyrtar i territoreve të Ukrainës.

“Të jemi shumë të kujdesshëm që të mos e shpërblejmë Putinin duke i dhënë atij titullin mbi tokën ukrainase me forcë arme,” i tha Graham gazetares së Fox News Maria Bartiromo të dielën, para takimit të Trump me Zelensky-n dhe liderët evropianë.

Ai dhe të tjerë kanë paralajmëruar se një lëshim ndaj Putinit mund të inkurajojë Kinën të pushtojë Tajvanin me forcë.

“Kur bëhet fjalë për shkëmbime territoresh, mbani mend: Kina po na vëzhgon,” i tha Graham Sean Hannity-t të hënën. “Mos bëni asgjë në Ukrainë që mund të nxisë Kinën të marrë Tajvanin.”

Edhe Hannity pranoi: “Do preferoja të mos shpërblehej agresioni i Putinit.”

Moderatori tjetër i Fox News, Mark Levin, i kushtoi një pjesë të madhe të emisionit të tij pas takimit Trump–Putin përshkrimit të ambicieve territoriale të Rusisë dhe dështimeve të përpjekjeve të mëparshme për ta frenuar atë, si Memorandumi i Budapestit.

Në një postim në rrjete sociale të martën, pas ofensivës së fundit ruse në Ukrainë, ai shkroi: “Putini, ky maniak gjenocidal, nuk është në gjendje të përmbahet.”

Kryetari i Komitetit të Forcave të Armatosura në Senat, Roger Wicker, reagoi ndaj postimit të Levin-it, duke iu lutur Trump-it – sigurisht, duke e lavdëruar njëkohësisht.

“President @realDonaldTrump, mbështetësi juaj, Mark Levin, paralajmëron se Vladimir Putin është një ‘maniak gjenocidal’. Këto janë fjalë të mençura nga një mik i mirë. Putin gënjen dhe vret,” shkroi republikani nga Misisipi. “Lidershipi juaj do të jetë kyç për ta mbajtur Ukrainën, SHBA-në dhe Evropën të bashkuar përballë mashtrimeve dhe zvarritjeve të Putinit.”

Senatori Ted Cruz, gjatë një paraqitjeje në Fox News të hënën mbrëma, parashikoi se Trump do të arrijë një marrëveshje paqeje – me një paralajmërim të madh.

“Unë e kam inkurajuar presidentin Trump që ta zgjidhë këtë në një mënyrë që të jetë një humbje e qartë për Rusinë dhe Putinin,” tha republikani nga Teksasi. “Rusia nuk është miku ynë, Putini nuk është miku ynë.”

Edhe kongresmeni Joe Wilson nga Karolina e Jugut ka lavdëruar vazhdimisht Trump-in për “shqyrtimin” e gënjeshtrave të Putinit.

“Krimineli i luftës, Putini, po mashtron botën,” tha ai në CNN. “Por ne kemi një president që kupton… Vërtet, çfarë presidenti që kemi me Donald Trump!”

Wilson shtoi: “Jam dakord me atë që Trump ka thënë më parë: Ai ka biseda të këndshme me Putinin në mëngjes, dhe pastaj ndodhin sulme vrasëse nga krimineli i luftës Putin pasdite.”

Por ideja se Trump e “shikon përmes” lojërave të Putinit është e debatueshme. Duket sikur Wilson po përshkruante Trump-in që ai dëshiron të shohë.

Ndoshta më kritik nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve ka qenë Don Bacon nga Nebraska, i cili nuk do të rikandidojë.

Të martën, ai tha se e mbështet idenë e negociatave për paqe, por shtoi se komentet e fundit të Trump, sipas të cilave “Ukraina mund të ketë paqe nesër nëse dëshiron”, janë problematike.

“Por të thuash që Ukraina mund të ketë paqe nesër nëse dëshiron, është një deklaratë që në thelb u kërkon atyre të dorëzohen përballë pushtimit të Rusisë,” tha Bacon. “Ne duhet të negociojmë me qartësi morale, duke ditur se Rusia e nisi këtë luftë me pushtimin e saj të pamëshirshëm. Nuk duhet të shpërblejmë barbarinë.”

Këta republikanë nuk janë të vetmit që frikësohen se Putin mund të përfitojë shumë. Sondazhet tregojnë se edhe shumë amerikanë ndajnë të njëjtin shqetësim.

Një sondazh i fundit i Fox News tregoi se amerikanët mendojnë në përqindje 58% me 35% se Putin ka “epërsinë” ndaj Trump-it para samitit të tyre. Një pjesë e madhe e amerikanëve kanë shprehur prej kohësh shqetësime se Trump është shumë dashamirës ndaj Putinit. Ndërkohë, një sondazh i Gallup tregoi se 7 nga 10 amerikanë janë të paktën “disi” të shqetësuar se një marrëveshje paqeje mund të jetë shumë në favor të Rusisë.

Fakti që republikanët po ndihen të detyruar të shprehin publikisht këto shqetësime është domethënës.

Negociatat për një marrëveshje të vërtetë paqeje nënkuptojnë hyrjen në detaje të ndjeshme rreth asaj që mund të konsiderohet si kompromis i pranueshëm.

Dhe kjo duket se është një perspektivë mjaft shqetësuese për shumë republikanë kritikë ndaj Rusisë, të cilët për vite me radhë kanë heshtur ndërsa Trump dhe partia e tij janë larguar gjithnjë e më shumë nga mbështetja për Ukrainën./ CNN

Top Channel