Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e kanë kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit.

Duke folur në mbledhjen e KQZ-së, ku pritet të votohet për certifikimin apo jo të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, Sami Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Kurteshi e ka kundërshtuar kandidaturën e Sasha Millosheviçit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

“Ky luan rol dyfish”, tha Kurteshi. “Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës”.

Ai ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, tha se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç” dhe se ajo nuk lufton për interesat e serbëve të Kosovës.

“I lus kolegët e mi të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe”, tha ai.

Zyra e Partive Politike në KQZ – e cila ka për obligim të shqyrtojë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – ka rekomanduar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ndërkohë, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, tha se ai do të abstenojë nga votimi.

Në prag të mbledhjes së KQZ-së, ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.

“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend. /rel

Top Channel