
Pak orë pas dështimit të radhës për zhbllokimin e ngërçit, Bashkimi Europian i bëri thirrje partive politike në Kosovë të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të konstituojnë shpejt Kuvendit.
Zyra e BE-së në Prishtinë i tha REL-së se blloku “po i ndjek me kujdes zhvillimet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë”.
Ligjvënësit u mblodhën të mërkurën vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta krijojnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.
Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.
BE-ja kujtoi edhe një herë se “formimi i shpejtë i Kuvendit dhe i Qeverisë është thelbësor për Kosovën që të ecë përpara me reformat e rëndësishme në të gjitha sektorët, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe standardin e jetesës së qytetarëve të saj”.
Ndërkohë, Ambasada e Italisë në Prishtinë, e pa si diçka inkurajuese faktin që Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, propozoi një kandidat të ri për kryeparlamentar, pasi në të kaluarën kishte propozuar vetëm Haxhiun.
Në një përgjigje me shkrim për REL-in, Ambasada italiane tha se propozimi i Gërvallës “tregon gatishmëri për të bërë përparim, që do të duhet të konfirmohet në ditët në vijim”.
Top Channel