Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë të enjten se Kosovës po i kushton ngërçi politik dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë ta bëjnë prioritet progresin dhe stabilitetin e vendit.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënes i Ambasadës tha se partitë parlamentare në Kosovë duhet të punojnë së bashku për t’i themeluar institucionet e reja në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po i kushton Kosovës me humbje të mundësive. Është koha që udhëheqësia të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane vjen një ditë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin, gati pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Deputetët u mblodhën të mërkurën për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.

Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.

Të mërkurën, edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada italiane në Prishtinë u bënë thirrje partive parlamentare t’i themelojnë institucionet e reja sa më parë.

Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje. Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./REL

Top Channel