Ndezi zjarr në fushën e sportit dhe dogji një sipërfaqe me shkurre, arrestohet 20-vjeçari në Finiq

19/08/2025 09:45

Një i ri ka rënë në pranga në Finiq për zjarrëvënie.

Shtetasi me iniciale A.P., 20 vjeç, ndezi zjarr në fushën e sportit në fshatit Sopik, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe dogjën një sipërfaqe me bimë dhe shkurre.

Njoftimi i policisë:

Finiq/Dogji një sipërfaqe me bimësi e shkurre, në fshatin Sopik, arrestohet 20-vjeçari.

Falë ndërhyrjes së banorëve të zonës, u parandalua përhapja e mëtejshme e flakëve, e cila mund të sillte pasoja më të rënda.

Si rezultat i punës hetimore dhe veprimeve të shpejta për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 20 vjeç, banues në Sopik, Finiq.

20-vjeçari dyshohet se më datë 18.08.2025, ka ndezur zjarr në fushën e sportit të fshatit Sopik, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre. Falë ndërhyrjes në kohë të banorëve të zonës, u shua vatra e zjarrit dhe u parandalua përhapja e mëtejshme e flakëve, e cila mund të sillte pasoja më të rënda.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.

Top Channel