Historia e rrallë e mamisë alpiniste! Njihuni me infermieren e dashuruar me ngjitjet në mal, ka udhëtuar deri në Mont Blanc

19/08/2025 22:01

Një infermiere e dashuruar me alpinizmin.

Ngjitje pas ngjitje në mal, duke eksploruar Alpet e Shqipërisë, këtë verë Mirela Xherri vendosi të ngjisë majën më të lartë të Europës Perëndimore. Mamia e maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ arriti në 4810 m mbi nivelin e detit në Mont Blanc, duke shënuar një përvojë të papërsëritshme.

“Pasi bëra Musallën, Olimpin, Kilimanjaro, më lindi edhe dëshira e Mont Blanc. Vërtet është një mal që kërkon shumë guxim. Duhet të përgatitesh fizikisht edhe psikologjikisht, ti vësh qëllim vetes që do e arrish këtë gjë. Si dhe vrapin nuk e kam ndarë, palestër plus hiking. E kisha sfidë me veten. Këtë ngjitje ja kushtova vetes, fëmijëve, nënës dhe motrave të mia që në momentet më të vështira më kanë qëndruar pranë. Edhe shoqet e mia të punës, mbi 23 vjet që punoj këtu e duhet të jemi mirënjohës!”

Mes emocioneve, 55 vjecarja tregon për Top Channel ekspeditën 7 ditore, ku momentet e fundit ishin edhe më sfiduese.

“Dita e fundit që u zgjuam në orën 1 dhe në 2 të mëngjesit nisëm ngjitjen pata pak vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke, marrje mendsh, pasiguri në vete. Frynte erë shumë e madhe madje e me copa akulli të vogla. Pastaj në mendje thashë unë do e arrij këtë gjë nuk ka më kthim mbrapa. Mirela shijoje ketë gjë i thashë vetes. Edhe guida na motivonte thoshte mos e kini mendjen ramë këtu ramë atje, se po të ktheje kokën greminë…”

Me lajmet se jo të gjithë mund t’ia dilnin, Mirela nuk u dorëzua. Ajo mendon se ndjesia e jashtëzakonshme e kapjes së majës, nuk do të vlente asgjë pa gjithë rrugëtimin që u shoqërua me frymë të mirë grupi dhe bashkëpunimi.

“Grupi që isha unë ishim 5 veta, edhe me ish kryeministrin Ramush Haradinaj me të cilët patëm një kombinim shumë të mirë e motivim për të bërë këtë. Frynte shumë erë dhe guida në majë na la pak kohë se smund të rrezikonim më shumë”…

Pasionin e saj për sportet në natyrë i lidh me punën e saj në shërbim të gruas. Ndaj arritjet e ngjitjeve në mal ia dedikon forcës së gruas..

“Pa durim, nuk mund të vijë e mira. Ato shkallët që ngjita unë në Montblanc, ato shkallët e akullta që kërcisnin kthetrat krrap krrup, aty ndieja zot do ia dal vallë?! Ndërkohë më kujtoheshin edhe paciente, a do zgjoheshin? Ashtu sic është shkelja e terreneve të ndryshme në mal, e njëjta gjë është kur përditë ndeshesh me paciente  të ndryshme, raste të reja. Përtej detyrës lidhem emocionalisht se I konsideroj si për vete. Sjellja në jetë e një fëmijë është pjesa më e rëndësishme për një grua por edhe për mua në punë”.

Fillimet e Mirelës në alpinizëm janë nxitur nga djali, me ngjitjen e 8 viteve më parë në Munellë e tashmë 55 vjeçarja e ka kthyer në rutinë.

“Ishte për një kauzë për mbrojtjen e shpendit kalit të qyqes dhe thashë pse jo, pse mos të marr. Bëra disa ngjitje të tjera që më merrte herë pas herë. Fillova shoqërinë, kënaqësinë, e pastaj u dashurova!”

Top Channel