
Sali Berisha iu rikthye denoncimit të zgjedhjeve duke publikuar dy video që sipas tij faktojnë farsën elektorale pasi shfaqen zgjedhës që votojnë më shumë se një herë.
Zjarret i kishin zhvendosur boshtin e denoncimeve, por për kryedemokratin kishte një arsye.
Sali Berisha foli për një vendim për të cilin vetëm ai ka dijeni dhe nuk është publikuar në asnjë faqe zyrtare të qeverisë.
“Në një kohë kur vendi digjej flakë në të katër anët, ai kujtohej sipas mediave, të përcaktojë për kryeministrin pensionin prej 4 milionë lekësh. Pra, 4 milionë lekë do të thotë 48 milionë lekë në vit pension Edi Rama për vete”, tha Berisha.
INSTAT e vuri nën akuzë për mashtrim, pasi sipas tij po paraqet shqiptarëve një realitet të rremë për eksportet.
“Ata quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë në Kosovë, që janë importe të mirëfillta të Kosovës. Pra, importet e Kosovës, naftë në radhë të parë, por edhe importe të tjera, të cilat shkarkohen në Durrës për t’u transportuar me korridorin rrugor drejt Kosovës, Edi Rama dhe instituti i tij i turpshëm i shpall ri-eksporte”, shtoi kryedemokrati.
Berisha sulmoi kundërshtarin politik edhe për shifrat e turizmit që, në bindjen e kryedemokratit, janë çdo vit në rënie dhe jo në rritje.
Top Channel