“Shumica e maqedonasve, veçanërisht elitat, janë kundër Shqipërisë”/’ Mediat në RMV sulmojnë Kim Mehmetin pas deklaratave të tij

18/08/2025 15:10

Disa media maqedonase i kanë ‘shpallur luftë’ shkrimtarit dhe publicistit të njohur Kim Mehmetit, pas një deklarate të tij ku ai shprehet kritik ndaj strukturës etnike dhe politike të elitave në Maqedoninë e Veriut.

Elitat maqedonase kryesisht janë të përbëra nga bullgarë e shqiptarë ortodoksë të serbizuar”, është kjo deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta në disa qarqe mediatike dhe politike maqedonase.

Sipas mediave të Maqedonisë së Veriut, fjalët e Mehmetit përbëjnë një “fjalor urrejtjeje dhe nënçmimi” ndaj popullit maqedonas dhe cenojnë bashkëjetesën ndëretnike në vend. Disa prej tyre e kanë akuzuar shkrimtarin për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes dhe përpjekje për të delegjitimuar identitetin kombëtar maqedonas. Dhe kjo ka nxitur një varg reagimesh ku kërkohet ndëshkimi i Mehmetit për këto deklarata të tij.

Në analizën e tij, Mehmeti e përshkruan Maqedoninë e Veriut si një shtet të paqartësive dhe kontradiktave, ku sipas tij mungon një ndjenjë e vërtetë e bashkëjetesës dhe ku gënjeshtra është bërë pjesë e kulturës politike dhe shoqërore.

Ai shpreh kritika të forta edhe ndaj politikanëve shqiptarë në vend, të cilët i cilëson ose si “idiotë që nuk kuptojnë”, ose si “qyqarë që kanë frikë ta thonë të vërtetën”. Mehmeti thekson se shumë prej elitave politike maqedonase mohojnë origjinën e tyre etnike dhe përpiqen ta maskojnë këtë duke ushqyer urrejtje ndaj shqiptarëve dhe bullgarëve.

Reagimet ndaj shkrimit të Mehmetit kanë hapur sërish debatin për kufijtë e lirisë së shprehjes në një shoqëri multietnike si ajo e Maqedonisë së Veriut, ku tensionet ndëretnike ende nuk janë shuar plotësisht.

Kim Mehmeti, i njohur për stilin e tij kritik dhe për shkrimet që trajtojnë realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nuk ka reaguar ende publikisht ndaj akuzave të mediave maqedonase.

 

 

Top Channel