Karteli Çela-Çopja trafikoi mijëra ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, The Telegraph: Rënia e shpejtë e bandës më të frikshme të drogës në Shqipëri

18/08/2025 11:30

Klanet Çela-Çopja ishin ndër sindikatat më të fuqishme kriminale në Europë, vendimet e të cilave diktonin çmimin e kokainës në kontinent.

I drejtuar nga bosët Franc Çopja, 33 vjeç, dhe Ervis Çela, 41 vjeç, grupi shqiptar trafikoi sasi gjigante kokaine nga Amerika Latine në portet e BE-së. Të ardhurat i pastronin përmes një perandorie të gjerë tregtare që përfshinte pasuri të mëdha të paluajtshme, një resort turistik pesë-yjor, vila dhe apartamente.

Bosët e drogës grumbulluan aq shumë para sa që debatet mes tyre shkonin deri tek mënyra më e mirë për t’i fshehur – nën rrënjët e ullinjve apo duke i kthyer në ar.

Por brenda pak ditësh, karteli u shkatërrua: Çopja dhe Çela u arrestuan së bashku me drejtuesit e tyre kryesorë, ndërsa pasuritë iu sekuestruan nga SPAK – taskforca shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mars 2021, hetuesit arritën të depërtonin në Sky ECC, një shërbim mesazhesh të koduara, duke ekspozuar krimet e dyshuara.

Çela, i kërkuar në Itali për torturimin dhe vrasjen e një rivali shqiptar, u arrestua bashkë me dy vëllezërit e tij dhe tetë bashkëpunëtorë në bastisje të shpejta gjatë qershorit dhe gushtit.

Çopja ishte arrestuar në Belgjikë në dhjetor 2023 dhe është në gjyq për vrasje pasi u ekstradua nga vila e tij luksoze në Dubai. Ai konsiderohet “truri logjistik” i operacionit, duke siguruar transportin e kokainës përmes porteve të Europës Veriore.

“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga më të fuqishmet shqiptare në tregtinë ndërkombëtare të kokainës,” deklaruan prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara.

“Ajo kishte kapacitet të ndikonte drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet europiane dhe të menaxhonte sasi të mëdha të saj në periudha të shkurtra,” shtuan ata.

Karteli dyshohet se kontrollonte gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës – nga prodhimi dhe përpunimi në laboratorë në Paraguai, tek transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në tregjet europiane, e deri tek pastrimi dhe qarkullimi i fitimeve në Shqipëri dhe jashtë saj.

Një pjesë e kokainës besohet se kalonte Kanalin Anglez drejt Britanisë, ku, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), bandat kriminale shqipfolëse kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut fitimprurës.

Një kilogram kokainë në Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet rreth 40,000 £, krahasuar me 20,000 £ në Europë.

Sipas Europol, Sky ECC përdorej gjerësisht për qëllime kriminale, përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.

Edhe pse Sky ECC u mbyll, qindra milionë mesazhe të koduara kanë mbetur të disponueshme dhe janë analizuar për vite nga autoritetet ligjzbatuese në Europë dhe më gjerë.

Një aktakuzë 282-faqëshe e lëshuar më 8 gusht nga SPAK, e siguruar nga The Telegraph, zbulon se grupi tentoi të transportonte 28 tonë kokainë të fshehur në kuti sapuni, kanaçe boje apo ngjitës industrial nga Paraguai në portet e Hamburgut dhe Antwerpit mes 2020-2021.

Më 12 shkurt 2021, 16.4 tonë kokainë e pastër, e fshehur në 1,700 kanaçe, me vlerë rruge rreth 3 miliardë £, u sekuestrua në porte – kapja më e madhe e kokainës në historinë e Europës në atë kohë.

Një tjetër ngarkesë, që kaloi me sukses përmes portit të Antwerp-it në 2020, vlente 1.3 miliardë £.

Grupi zhvilloi një sistem të sofistikuar për transferimin e të ardhurave nga trafiku i drogës nga Europa drejt Shqipërisë, duke përdorur korrierë për transferime parash dhe një rrjet të ashtuquajtur “hawala”, që mundësonte qarkullimin e qindra milionë eurove në para cash.

Thuhet se Çela e drejtonte operacionin ndërsa ishte në arrati në Paraguai.

Në një bisedë më 12 dhjetor 2020, Çela i tha Çopjes se planifikonte të varroste eurot nën rrënjët e ullinjve të tij në Shqipëri.

Megjithatë, Çopja e paralajmëroi se paratë do të kalbeshin nën tokë dhe e inkurajoi t’i kthente në ar.

“Duhet të grabis një bankë”

Çela iu përgjigj: “Nuk ka ar… duhet të grabis një bankë… duhet ta porosis nga Afrika.”

Çopja tha: “Njoh dikë që mund të na e sigurojë [arin].”

“Pyete, çfarëdo që të ketë, 100/200 kg,” u përgjigj Çela.

Më vonë biseda kaloi tek orët luksoze dhe tokat bujqësore.

Pasdite, të njëjtën ditë, Çela parashtroi planet për të blerë dy ferma në Paraguai për 10 milion £, një investim që, sipas llogaritjeve të tij, do t’i sillte 1.8 milion £ fitim çdo vit.

Në një bisedë tjetër me vëllain e tij në Sky ECC në nëntor 2020, Çela shkroi se 800,000 £ që u detyrohej nga një prej trafikantëve të tyre ishte vonuar “për shkak të një rënieje në tregun britanik”.

Çela kishte kaluar 11 vite në arrati para arrestimit të tij më 29 qershor në fshatin bregdetar Qeparo, në jug të Shqipërisë.

Së bashku me vëllain e tij Ardian dhe bashkëpunëtorin Hiseni Fatos, ai ishte dënuar në Itali për vrasjen e Petrit Keçit në shtator 2008, i cili kishte tentuar të hynte me forcë në rrjetin e prostitucionit të grupit në San Benedetto del Tronto.

Treshja ishte shpallur fajtore për rrahjen e Keçit dhe goditjen e tij gjashtë herë në kokë, përpara se të digjnin trupin për të fshehur krimin.

Çela u dënua me 30 vite burg. Vëllai i tij mori 18 vite.

Megjithatë, ata arritën ta apelonin vendimin dhe u mbajtën në paraburgim, por afati i paraburgimit skadoi para se të ridënoheshin, dhe u liruan në maj 2014, duke u dhënë mundësinë të arratiseshin jashtë dhe të humbnin në botën kriminale.

Tani, Çela do të duhet të vuajë një dënim me 21 vite burg për vrasje, rrëmbim, tentativë për fshehje të trupit, kërcënime, posedim të paligjshëm të eksplozivëve dhe municioneve, si dhe pengim të drejtësisë – mbi çdo dënim tjetër që mund të marrë për trafik droge dhe vepra të lidhura me të.

Një nga pasuritë më të bujshme të sekuestruara nga SPAK ishte resorti luksoz “Ajman Park” në Shijak, një qytet 27 km në perëndim të Tiranës.

Në faqen e tij ende aktive, hoteli ofron “siguri 24 orë” për ata që dëshirojnë të marrin me qira “Marvel Palace” me stil greko-romak për dasma, apo të shijojnë darka në restorantin Sushi dhe Steakhouse.

Këto sekuestrime shënuan një ndërhyrje të rrallë nga autoritetet shqiptare, të cilat pothuajse kurrë nuk kanë hapur hetime mbi origjinën e kapitalit të madh që derdhet në sektorët e turizmit dhe ndërtimit në vend.

Top Channel