Kaos në plazhin e Granadës, erërat e forta rrëmbejnë pushuesit teksa Spanja përballet me zjarret

18/08/2025 16:30

Evropa Jugore është goditur nga zjarret dhe moti ekstrem. Në Spanjë, ku zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me flakët, një plazh jugor u përfshi nga erëra të forta, duke shkulur pemë, duke shembur struktura.

Banorët në plazhin Costa Granadina në Granada po vraponin për t’u strehuar ndërsa erërat e forta përshkuan zonën dhe temperaturat u rritën ndjeshëm. Rëra u përplas dhe pemët u shkulën. Të paktën pesë persona u shpëtuan pasi anija e tyre u rrëmbyen në det, sipas Daily Mail.

Vendpushimet Motril dhe Almunecar në Granada u goditën nga moti i keq. Motril ishte një nga vendet më të goditura, me pamje që tregonin shembjen e një pishine prej fiberglasi.

Agjencia meteorologjike spanjolle Aemet konfirmoi për X: “Temperatura u rrit në 40 gradë Celsius në orën 19:50, e shoqëruar nga erëra shumë të forta që arritën në 85 kilometra në orë.”

Kryetarja e bashkisë së Motril, Luisa García Chamorro, paralajmëroi në mediat sociale pak pas orës 20:00: “Vëmendje. Po përjetojmë atë që njihet si një valë e të nxehtit me erëra shumë të forta, pothuajse si uragan. Ju rekomandojmë të mos dilni nga shtëpitë tuaja dhe të mos qëndroni në rrugë. Kini kujdes të madh.”

“Nuk mbaj mend të kem parë një ndryshim kaq të shpejtë të motit në një periudhë kaq të shkurtër kohore”
Vizibiliteti në plazhe ishte zvogëluar, ndërsa Laura Bueno, e cila ndodhej në plazhin Torrenueva, ku u kryen disa nga shpëtimet, përshkroi: “Ishte tmerr! Një shpërthim termik rrëmbeu karriget dhe çadrat. Ishte një erë e nxehtë si erërat e Saharasë. Përmbysi kontejnerët dhe hodhi gjithçka në det. Fëmijët dhe të rriturit pësuan sulme paniku.” Një banor vendas shtoi: “Nuk mbaj mend të kem parë një ndryshim kaq të shpejtë të motit në një kohë kaq të shkurtër.”

Në të njëjtën kohë, zjarret në Spanjë, kanë djegur të paktën 300,000 hektarë. Të paktën katër persona, përfshirë një zjarrfikës, kanë vdekur.

Zjarret kanë shkatërruar zona në Asturias, Castile dhe León, Extremadura, Galicia, duke shkaktuar mbyllje të gjera të rrugëve dhe hekurudhave.

Deri të hënën, zjarret ishin përhapur në shpatet jugore të vargmalit Picos de Europa dhe autoritetet mbyllën një pjesë të rrugës së njohur të pelegrinazhit Camino de Santiago.

“Kjo është një situatë zjarri që nuk e kemi përjetuar në 20 vjet”, tha Ministrja e Mbrojtjes Margarita Robles për radion Cadena SER. “Zjarret kanë karakteristika të veçanta për shkak të ndryshimeve klimatike dhe valës ekstreme të nxehtësisë”, shtoi ajo.

Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi të dielën se Spanja do të dërgojë 500 ushtarë të tjerë, përveç 1,400 ushtarëve që janë tashmë të vendosur për të luftuar flakët, ndërsa autoritetet përpiqen të shuajnë 20 zjarre të mëdha në të gjithë vendin.

“Ende kemi ditë të vështira përpara dhe, për fat të keq, moti nuk është në anën tonë”, tha Sanchez.

Sanchez tha se operacionet e vazhdueshme nga personeli i emergjencës ishin “ndoshta” mobilizimi më i madh i mbrojtjes civile në historinë evropiane.

Ai tha gjithashtu se qeveria spanjolle do të propozojë një pakt kombëtar për të përshtatur vendin me ndryshimet klimatike.

Zjarrfikësit ende po luftojnë me 12 zjarre të mëdha vetëm në rajonin veriperëndimor të Galicias, të gjitha pranë qytetit të Ourense, tha kreu i qeverisë rajonale të Galicias, Alfonso Rueda, gjatë një konference për shtyp.

“Shtëpitë janë ende nën kërcënim, prandaj kemi vendosur kufizime në lëvizje dhe po kryejmë evakuime”, tha Rueda.

Top Channel