“Dënoj me forcë të gjithë zjarrvënësit”, Berisha për zjarret dhe situatën në Theth: Krim shtetëror, ndërtimet ishin në zonën e lejuar

18/08/2025 13:44

Kreu i PD, Sali Berisha ka komentuar në një deklaratë për shtyp situatën e zjarreve në vend, të cilat shkaktuan shumë dëme.

“Dënoj me forcën më të madhe të gjithë ata individë të cilët kryen krimin e shëmtuar të zjarrvënies”, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Veç situatës së zjarreve, kryedemokrati komentoi edhe situatën në Theth, të cilin e cilësoi një krim shtetëror dhe se ndërtimet pa leje të cilat u shembën ishin në një zonë ku lejohej të ndërtohej.

Berisha: Sot jam para medieve për të denoncuar si një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje.

Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera. Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona. Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve. Shqipëria, zjarre të tilla shkatërrimtarë nuk ka njohur ndonjëherë. Pati viktima, pati të djegur të plagosur. Shqiptarët u ndjenë më të braktisur se kurrë.

Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe të gjithë ata individë të cilët kryen krimin e shëmtuar të zjarrvënies dhe ata meritojnë ndëshkimin ligjor më të madh.

Shpreh solidaritetin tim të madh për të gjithë të dëmtuarit, viktimat, të plagosurit dhe ata qindra e mijëra familje fermerësh, fshatarësh që humbën gjithçka kishin për shkak të zjarreve.

Por dënoj si një krim shtetëror propagandën e neveritshme, mashtruese të narkoqeverisë, e cila bënte fjalë për dhjetëra mijëra forca të angazhuara, në një kohë kur nga fushë beteja, gazetarët informonin se atje numëroheshin me gishtërinjtë e duarve zjarrfikësit apo forcat e tjera në shuarjen e zjarreve.

Por sot, unë jam këtu për të qartësuar shqiptarët se pse shkatërrimet e zjarreve këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror.

Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr.

Shqipëria pësoi zjarre dhe djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit. Dhe jo se zjarret nuk shpërthyen në të gjithë rajonin, por çdo vend ishte shumë, shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve.

Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional. Cili është qëllimi im sot para jush?

Është të mbroj interesat e qytetarëve të dënuar, sepse duke i njohur si një krim shtetëror, qeveria ka detyrimin ligjor dhe kushtetues për zhdëmtime maksimale, urgjente të të gjitha dëmit të bërë, në banesa, në bahçe, ullishte, bagëti dhe çdo gjë tjetër qindra e qindra fermerëve të dëmtuar.

Pra, sigurisht që, Edi Rama është përgjegjës kryesor dhe e them edhe njëherë, është autori kryesor i këtij krimi shtetëror.

Por nuk është ky qëllimi im kryesor, akuza në këtë rast, qëllimi im kryesor është të ndërgjegjësoj qytetarët e dëmtuar se në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, njohja e përgjegjësisë nga qeveria për krimin shtetëror, përbën detyrim madhor për t’iu përgjigjur zhdëmtimit maksimal të çdo fermeri, për çdo dëmtim në banesë, për çdo dëmtim fizik, për viktimat që u varrosën nga djegiet, për të plagosurit, për bagëtitë, për rrënjët e ullinjve, për pyjet, për bletët dhe çdo gjë tjetër.

Pra, kjo ishte një verë e një krimi monstruoz shtetëror. Që kjo qeveri vjedh dhe nuk zhdëmton, shko e pyet të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës, në Laç, në Kurbin, Lezhë, Tiranë dhe kudo. Këta janë të pamëshirë. Pasurohen dhe mbi fatkeqësinë.

Por, unë i garantoj të gjithë banorët e zonave të djegura, garantoj gjithashtu banorët e Thethit të cilët u përballën dhe ata me një krim shtetëror. Edhe ajo që ndodhi në Theth është një krim i mirëfilltë shtetëror. Ndërtimet kanë qenë në zonën e lejuar për ndërtime. Ndërtimet kanë qenë në tokat e tyre.

Edhe ai është një krim shtetëror dhe do të bëjmë gjithçka që ndaj krimit shtetëror, të ndëshkohen autorët dhe të dëmshpërblehen viktimat e krimit shtetëror.

Top Channel