ANALIZA/ Donbasi, objekti i dëshiruar i Putinit dhe thelbi i luftës në Ukrainë

18/08/2025 20:32

Tim Lister/ CNN

Ndërsa negociatat mbi një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po intensifikohen, pjesa më e madhe e diskutimit është përqendruar në një pjesë të lindjes së vendit që ka qenë prej kohësh në qendër të synimeve të Rusisë.

Rajonet ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut – të njohura së bashku si Donbas – ishin një qendër industriale në epokën sovjetike, një vend minierash qymyri dhe fabrikash çeliku.

Por rajoni i Donbasit ka gjithashtu tokë të pasur bujqësore, lumenj të rëndësishëm dhe një vijë bregdetare në Detin Azov.

Historikisht, Donbasi ishte pjesa më “ruse” e Ukrainës, me një pakicë të konsiderueshme folësish rusë. Në disa udhëtime në këtë zonë para 10 vitesh, ishte e qartë se ndër disa banorë kishte pak dashuri për qeverinë e largët në Kiev.

Ishte pikërisht këtu që Putini filloi përpjekjet për të destabilizuar Ukrainën në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë. Milici pro-ruse, disa prej tyre të pajisura mirë me tanke, u shfaqën në të gjithë rajonin, duke marrë shpejt qytetet Luhansk dhe Donetsk nga ushtria ukrainase e atëhershme, e papërgatitur dhe e pamotivuar.

Pothuajse për tetë vjet, enklavat separatiste përjetuan luftime, shpesh të ashpra, midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase, duke lënë më shumë se 14,000 të vdekur, sipas shifrave ukrainase.

Të paktën 1.5 milionë ukrainas kanë lënë Donbasin që nga viti 2014. Më shumë se tre milionë llogariten se jetojnë nën pushtimin rus. Moska shpërndau qindra mijëra pasaporta ruse për njerëzit në zonat e kontrolluara nga separatistët e Donbasit.

Por Putini donte më shumë. Në prag të pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, ai deklaroi se i ashtuquajturi botë e civilizuar “preferon ta injorojë sikur të mos ekzistonte ky tmerr, ky gjenocid ndaj të cilit po i nënshtrohen gati katër milionë njerëz” dhe njohu Luhanskun dhe Donetskun si shtete të pavarura.

Më vonë atë vit, Moska i aneksoi në mënyrë të njëanshme – dhe të paligjshme – të dyja pas referendumeve të rreme, së bashku me rajonet jugore Zaporizhia dhe Kherson, ndonëse i kishte pushtuar vetëm pjesërisht.

Për Kremlinin, ka një ndryshim të madh mes tërheqjes nga tokat e pushtuara (siç bënë rusët kur u tërhoqën nga pjesa më e madhe e veriut të Ukrainës në vitin 2022) dhe dorëzimit të zonave të përthithura zyrtarisht në “mëmëdhe” sidomos për një lider si Putini, i fiksuar me idenë e një “Rusie më të madhe.”

Analistët thonë se me ritmin aktual, forcave ruse do t’u duhen ende disa vite për të përfunduar pushtimin e atyre që janë aneksuar. Po aq, ka pak gjasa që Ukraina të rikuperojë pjesën më të madhe të asaj që tashmë ka humbur: pothuajse gjithë Luhanskun dhe më shumë se 70% të Donetskut.

Megjithatë, Kievi ende mban “brezin e fortifikuar” të qyteteve industriale, hekurudhave dhe rrugëve që përbëjnë një pengesë të madhe për forcat e Putinit: vende si Sloviansk, Kramatorsk dhe Kostiantynivka.
Për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, të heqë dorë nga pjesa tjetër e Donetskut – territor për të cilin shumë ushtarë ukrainas kanë dhënë jetën – do të ishte vetëvrasje politike. Rreth tre të katërtat e ukrainasve kundërshtojnë dhënien e ndonjë toke Rusisë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë së Kievit.

Tërheqja nga pjesa tjetër e Donetskut do të linte gjithashtu fushat e hapura të mëdha të Ukrainës qendrore të pambrojtura ndaj një ofensive tjetër ruse, siç ka theksuar vazhdimisht Zelensky, përveçse do të ishte një dorëzim antikushtetues i tokës ukrainase.

Për aleatët evropianë të Zelenskyt, kjo do të shkelte gjithashtu një parim thelbësor: që agresioni nuk mund të shpërblehet me territor dhe se sovraniteti i Ukrainës duhet të mbrohet. Ashtu si në vitin 2014, Donbasi mbetet prova e ambicieve të Putinit në Ukrainë,  dhe sfida më e madhe për Evropën ndërsa përpiqet të ruajë një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Top Channel