Në qendrën historike të Durrësit, Torra Veneciane vijon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota.

Kjo kullë e shekullit XV, pjesë e fortifikimit për mbrojtjen e portit, prej një viti është kthyer në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore, ku vizitorët udhëtojnë në histori edhe falë teknologjisë së realitetit virtual.

Ina Ajazi, arkeologe, cicerone shprehet: Gjatë këtij viti, monumenti është vizituar nga mijëra turistë të huaj dhe vendas. Për shumë prej tyre, kjo është një përvojë e re që e bën historinë e Durrësit më të afërt dhe më të kuptueshme.

Një turist belg shprehu eksperiencën e tij të re dhe vizitën në këtë monument: “Është një eksperiencë e re për mua. Jam nga Belgjika. Nuk dija asgjë për këtë monument dhe antikitetin e vendit tuaj. U ngjita lart, pashë pamjet fantastike dhe përmes realitetit virtual mësova shumë për historinë.”

Edhe ky çift turistësh nga Europa Qendrore, për herë të parë në Shqipëri, shprehet i befasuar nga trashëgimia e qytetit bregdetar.

“Jemi të kënaqur që shohim Durrësin, amfiteatrin dhe monumente të tjera historike. Jemi të interesuar për to dhe periudhën bizantine.” “Është dita jonë e parë këtu dhe Torra dhe monumentet këtu janë vërtet të mrekullueshme.”

Ndërsa sezoni turistik vijon në kulmin e tij, dhe Muzeu Arkeologjik e ai Etnografik janë ende të mbyllur, Torra Veneciane mbetet një prej ndalesave më të preferuara në Durrës.
Përveç vizitës klasike, gjithnjë e më shumë turistë zgjedhin guidën interpretative me realitet virtual (VR), që e bën përvojën më dinamike dhe tërheqëse.

‘Torra Veneciane, dikur një pikë strategjike e mbrojtjes së qytetit, sot është një urë mes së shkuarës dhe të tashmes, duke i ofruar vizitorëve, përmes teknologjisë dhe argëtimit, një pjesë të historisë së Durrësit’, tha zonja Ajazi

Top Channel