
Alfred Zhupani është specialist për hetimin e Krimeve në Komisariatin e Gramshit, por për shqiptarët ai u bë i njohur nga një fotografi teksa me një grua të moshuar në krahë, vraponte për ta shpëtuar nga flakët.
Në rrjete sociale u cilësua hero, por Zhupani mendon që HERO është një fjalë shumë e madhe.
“Hero është një fjalë shumë e madhe dhe nuk mendoj që më përshtatet, por gjithsesi Faleminderit shumë. Në ato tre ditë tmerri që përjetuam dua të falënderoj kolegët e mi të cilët me punën e tyre arritën të shpëtojnë jetë njerëzish, gjithashtu shërbimet zjarrfikëse, punonjësit e ushtrisë, pushtetin lokal të cilët ju gjendën pranë banorëve në ato ditë të vështira. Në rast se ka heronj, heronj janë të gjithë ata.”
Alfred Zhupani ka lindur në fshatin Kullollas, Njësia Administrative Skëndërbegas, edhe pse detyrën do ta kishte bërë njësoj kudo që të ishte, vendlindja dhemb më shumë.
“Detyrën do ta kisha bërë njësoj në çdo cep të Shqipërisë. Ju e dini si janë fshatrat, çdo njeri është familja jote. Atë ditë digjej shtëpia ime dhe më dhimbte në çdo qelizë të saj.”
Gramshit ju dogjën 7 fshatra, qindra banorë u evakuuan. Alfredi s’do të mund të bënte dot asgjë vetëm, edhe pse vraponte mes flakëve, ashtu siç thotë edhe ai heronj janë të gjithë ata zjarrfikës, ushtarë, policë, infermier e çdo person tjetër që u angazhua për shpëtimin e jetëve njerëzore.
Top Channel