
Plani i Izraelit për të zhvendosur banorët nga Qyteti i Gazës përbën një “valë të re gjenocidi dhe zhvendosjeje” për qindra mijëra banorë të zonës, tha sot Hamasi.
COGAT, organizata izraelite nën Ministrinë e Mbrojtjes përgjegjëse për çështjet politike në territoret palestineze, njoftoi dje se “tendat dhe pajisjet e tjera të strehimit do të sigurohen duke filluar nga nesër, si pjesë e përgatitjeve të IDF-së (ushtrisë izraelite) për të zhvendosur popullsinë nga zonat e luftimeve në Rripin jugor të Gazës për mbrojtjen e tyre”. “Ndihma do të transferohet përmes kalimit të Kerem Shalom (Rripi jugor i Gazës) nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare, pas një inspektimi të plotë sigurie”, theksoi COGAT.
Hamasi tha në një deklaratë se vendosja e tendave nën maskën e qëllimeve humanitare është një mashtrim i hapur që synon “të mbulojë një krim brutal që forcat pushtuese po përgatiten të kryejnë”.
Qeveria izraelite njoftoi më parë këtë muaj planet e saj për një ofensivë të re për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, qendrës më të madhe urbane në enklavën palestineze.
Plani ka ngjallur alarm ndërkombëtar për fatin e rreth 2.2 milionë banorëve të enklavës së shkatërruar palestineze, të cilët pas gati dy vitesh lufte po përballen me perspektivën e urisë për shkak të bllokadës izraelite të të gjitha ndihmave.
Top Channel