ANALIZA/ Si po tenton Zelensky të shmangë një tjetër përplasje me Trump në Uashington. Zgjedhja vendimtare për Donbasin

17/08/2025 12:03

Lorenzo Cremonesi/ Corriere Della Sera

Problemet, për Volodymyr Zelensky, nuk mbarojnë kurrë. Si të shmangë përplasjen me Donald Trump, të mbajë partnerët evropianë të bashkuar, t’i bindë ukrainasit se nuk do t’ia shesë tokën e mbrojtur me gjak Vladimir Putinit në këmbim të një paqeje në të cilën në vendin e tij, të rraskapitur nga lufta, besojnë shumë pak, dhe njëkohësisht të sigurojë armët dhe mjetet për të luftuar? Dilemat e presidentit ukrainas janë ato të një lideri të ri që ka qenë i detyruar të piqet me hapa të shpejtë mes rreziqeve ankth-prurëse dhe gabimeve të vazhdueshme, por që ende mbeten bartës të kërcënimeve vdekjeprurëse për të dhe kombin.

Në prag të takimit të nesërm në Uashington me presidentin amerikan, mbetet e qartë zgjedhja për të shmangur me çdo kusht përsëritjen e një përplasjeje të drejtpërdrejtë, si ajo e 28 shkurtit të kaluar, që solli bllokimin e ndihmave ushtarake amerikane për gati dy muaj, me pasojën e menjëhershme të tërheqjes ukrainase nga rajoni rus i Kurskut dhe dobësimin e përgjithshëm të sistemit ushtarak kombëtar ende në masë të madhe të varur nga inteligjenca e Pentagonit.

Është e vërtetë që tashmë pjesa më e madhe e ndihmave ushtarake vijnë nga Evropa, por dje Zelensky tregoi të njëjtën fleksibilitet që kishte mundësuar pajtimin e tij me Trump në Vatikan gjatë funeralit të Papa Françeskut.

«Qëndrimet tona mbeten të qarta. Duhet të arrijmë një paqe të vërtetë, që të jetë e qëndrueshme dhe jo thjesht një pushim në pritje të pushtimit tjetër rus», deklaroi publikisht Zelensky pas një telefonate që zgjati mbi një orë e gjysmë me Trump, siç theksojnë nga zyra e tij, për të nënvizuar se sidoqoftë Kievi dhe Uashingtoni mbeten shumë afër. Thelbi është i qartë: pavarësisht se komentatorët kryesorë ukrainas e gjykojnë si të dështuar dhe me shqetësim të madh samitin Putin-Trump në Alaska, Zelensky do të vazhdojë t’i shkojë përshtat presidentit amerikan për të treguar sërish, siç kishte bërë edhe në bisedimet e pranverës, se përgjegjësi i vërtetë i luftës ka qenë dhe mbetet presidenti rus.

Zelensky pra bën një fytyrë të mirë përballë një loje të keqe, nuk ndalet shumë tek fakti që Trump e ka «rehabilituar» Putinin duke hequr dorë nga parakushti i armëpushimit. Por këmbëngul në domosdoshmërinë që evropianët të jenë pjesë aktive e negociatës dhe të mbeten në krah të tij, gjë që përndryshe Trump e lejon, pasi i ka ftuar edhe ata në samitin e Uashingtonit.

Ka megjithatë një të dhënë të re dhe mjaft konkrete, që duket se do ta detyrojë Zelensky-n të marrë vendime të vështira. Thuhet se tani Putin është i gatshëm të flasë për një marrëveshje të mundshme paqeje, përfshirë edhe premtimin se nuk do të sulmojë vende të tjera evropiane. Për këtë flasin burime nga Shtëpia e Bardhë, duke përmendur një plan që parashikon tërheqjen ukrainase nga i gjithë Donbasi, pra rreth 25 për qind i rajonit që ende kontrollohet nga ushtarët e Kievit.

Risia do të ishte se tani Putin mund të jetë i gatshëm të heqë dorë nga territoret që nuk i ka ende në zotërim në dy provincat e tjera. Deri pak kohë më parë donte t’i merrte të plota. Bëhet fjalë për Zaporizhzhian, që ushtarët ukrainas e kontrollojnë ende mbi 20 për qind përfshirë edhe kryeqendrën, dhe për Khersonin, që trupat ruse e pushtojnë në masën 70 për qind në lindje të lumit Dnipro.

Për Krimenë nuk përmendet asgjë: Putini e pushtoi dhe e aneksoi me forcë që në vitin 2014 dhe që prej asaj kohe e konsideron të vetën, ndonëse Kievi vazhdon të kërkojë sovranitetin mbi të në emër të respektimit të së drejtës ndërkombëtare, e cila ndalon aneksimin e territoreve me dhunë.

A është edhe ky një tjetër bllof i Putinit? Zelensky është i bindur për këtë, përfshirë faktin që Moska vazhdon të mohojë legjitimitetin e pavarësisë së Ukrainës: çështja është ta bëjë Trumpin ta kuptojë këtë. Për shembull, nuk përmenden kërkesat e zakonshme ruse që Ukraina të çarmatosej. Gazeta Kyiv Independent nënvizon rrezikshmërinë ekstreme të lajmeve që vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Titulli: «Asnjë armëpushim, dorëzime territoriale, garanci të paqarta sigurie dhe frika se Trump do t’ua lërë përgjegjësitë ukrainasve pasi të ketë dështuar në bisedimet me presidentin rus».

Zelensky përsërit vendosmërinë për të mos hequr dorë nga Donbasi, por në të shkuarën e afërt ka lënë të kuptohet herë pas here se mund të tregojë më shumë fleksibilitet, dhe shumëçka varet nga garancitë e sigurisë që do të ofrojnë aleatët. Popullariteti i tij kishte rënë në 58 për qind në mes të korrikut, pas skandalit për përpjekjen e tij për të mbytur komisionet që hetonin korrupsionin e brendshëm. Megjithatë, në momentet më të vështira vendi ka qenë gjithmonë me të dhe sot më shumë se kurrë ai do të kërkojë konsensusin e brendshëm.

Top Channel