Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq/ 8 të arrestuar, bashkë me autorin e mitur, prangoset edhe babai e xhaxhai i tij që fshehën thikën

15/08/2025 13:21

Tetë persona janë arrestuar lidhur me ngjarjen tragjike të një dite më parë në Maliq, ku mbeti i vrarë një adoleshent 14-vjeçar.

Në pranga ra bashkëmoshatari i viktimës, 14-vjeçari autor i dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet.

Bashkë me autorin u arrestua babai dhe xhaxhai i tij pasi fshehën mjetin prerës, me të cilin u krye krimi.

Po ashtu, u prangosën 4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës, një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.

Policia thotë se është sekuestruar mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:

-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.

Top Channel