
Në Gracanicën e udhëhequr prej vitesh nga Lista Serbe e mbështetur prej Beogradit zyrtar, serbët po i shohin me shqetësim zgjedhjet lokale të tetorit.
Shumë prej tyre po mobilizohen për të votuar, sepse nuk duan që në krye të kësaj komune të Kosovës të vendoset dikush nga komuniteti shqiptar. Në fakt, siç thekson REL, atë që nuk arritën ta bëjnë Gjykata Kushtetuese, thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe qytetarëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit, e ka arritur Graçanica – e cila i ka bashkuar partitë shqiptare, që dolën me një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Nisma Aleanca Shqiptare, e ka bashkuar Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Kandidat për kryetar të komunës nga kjo iniciativë do të jetë Leutrim Ajeti, i cili deri më tani ka qenë i vetmi ligjvënës shqiptar në Kuvendin e Komunës së Graçanicës dhe ka shërbyer si zëvendëskryetar i kryetares Lilana Shubariq nga Lista Serbe. Banorët nga komuniteti serb me të cilët biseduan gazetarët e REL e shohin me shqetësim bashkimin e partive shqiptare.
“Nëse serbët e humbin pushtetin, vetëm valixhja në dorë na ka mbetur dhe asgjë tjetër”, tha një prej tyre, Bilana, edhe pse shumë serbë të tjerër vazhdojnë të përcjellin shpresën se do të mbeten në pushtet në këtë komunë me pretendimin se përbëjnë shumicën në këtë komunë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2024, në Graçanicë, janë regjistruar 8.560 serbë, ndërsa në territorin e saj jetojnë rreth 8.623 shqiptarë.
Top Channel