
Qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi se ka miratuar në parim kërkesën e Radio Televizionit të Kosovës për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro.
Transmetuesi i vetëm publik i Kosovës po përballet me krizë financiare, për shkak të mosalokimit të pjesës së dytë të buxhetit të tij vjetor.
Më herët gjatë së premtes, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, njoftoi se është arritur një modalitet ligjor që mundëson ndihmën financiare për transmetuesin deri në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se kërkesën për kredi RTK-ja e kishte dorëzuar në Ministri të Financave.
Punëtorët e RTK-së kanë protestuar ditë më parë, duke kërkuar zgjidhje për situatën e krijuar, pasi më shumë se 700 punonjës të transmetuesit publik ende nuk kanë marrë pagat e muajit korrik.
Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove.
Kriza financiare u shkaktua për shkak se transmetuesi nuk mund të marrë pjesën e dytë të buxhetit pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës, të dalë pas zgjedhjeve të shkurtit. Kjo pasi, paratë RTK-së i jepen nga Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa.
Më herët, organizata vendore dhe ndërkombëtare që merren me të drejtat e gazetarëve, por edhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të gjejnë një zgjidhje për krizën financiare në RTK.
Top Channel