
Nga Kristi Gongo
“Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald! Sot zemrat tona janë më të rënda se kurrë. Humbëm jo thjesht një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje”, kështu e përshkruajnë punonjësit e institucionit arsimor humbjen e 14 vjeçarit në Maliq.
Po kjo vrasje nuk është thjesht humbja e një nxënësi të mirë për shkollën, por edhe të një fëmije të mirë për Shqipërinë. Kjo për fat të keq, është edhe një frymëzim më shumë për djemtë që postojnë armët në rrjete sociale, për adoleshentët që të nxjerrin thikën për një fjalë goje, që nisin konfliktin me “pse më sheh”, për nxënësit që paramendojnë krimin para se ta kryejnë. Sepse kjo ngjarje është edhe ripërsëritja e vrasjes së Martin Canit.
Vetëm me emra të tjerë. Dhe hetimi i cunguar në rastin e nëntorit, në mendimin tim, çoi në një rast më shumë. Dhe frika ime është shtimi i numrave, edhe ulja e reagimit… Dy 14-vjeçarë, dy vrasje me të njëjtën mënyrë, dhe një sistem drejtësie që duket se ka dy standarde. Kam ndjekur me shumë interes njoftimet për shtyp të policisë në rastin e Eraldit, duke i krahasuar me deklaratat e ngjarjes së Martinit.
Reagim më i shpejtë me 8 të arrestuar në Korçë, mes tyre edhe të mitur që kanë qënë në vendngjarje dhe babai e xhaxhai i autorit që kanë fshehur thikën; të akuzuar për pengim të zbardhjes të së vërtetës edhe për moskallëzim krimi. Nëse kujtoni, ndryshe ndodhi me rastin e Fan Nolit. Jo vetëm pati informacione kontradiktore, ku në fillim u njoftua zyrtarisht se ishin 3 të mitur të përfshirë në momentin kur u zhvillua konflikti, e më pas dosja zbulon se ishin 9 djem, 5 prej tyre të cilësuar teknikisht të mundshëm aktiv.
Por çfarë u bë me ta? Po me deklaratat që binin në kundërshti me veprimet e të pyeturve? Çfarë ndodhi me djalin që u largua me autorin në taksi e i bënte dhe foto duke u mburrur për krimin? Çfarë u bë me babain e autorit që e transferoi nga spitali shtetëror drejt privatit?
Vrasja e Martin Canit pas mësimit pranë shkollës Fan Noli në 18 nëntor ndezi një debat publik mbi të përfshirët në krim si dhe pikëpyetje nëse ishte përdorur më shumë se një mjet prerës gjatë konfliktit?! Përgjigje që si kemi ende sot. Akti i ekspertimit ka nxjerr përfundimin se asnjë nga materialet video nuk tregojnë direkt konfliktin dhe nuk shquhet në asnjë nga pamjet filmike momenti i goditjes.
Një ngjarje që hapi një hetim tjetër për shpërdorim detyre për stafin e shkollës Fan Noli, por në ato çaste nuk patëm një moment ndarje dhimbjeje e marrje përgjegjësish nga drejtuesja apo oficerja e sigurisë. Edhe kur një fëmijë i mirë iku nga kjo jetë në mënyrë makabre, sërish prevaloi mbrojtja e vendit të punës
. Sot pa mbushur një vit nga Martini, kemi një gjyq që zhvillohet me dyer të mbyllura në lidhje me drejtësinë për 14 vjeçarin, por pa u vënë në vend drejtësia për të, një fëmijë tjetër i merret gjirit të një familjeje.
Ndonëse sot për Eraldin janë prangosur të gjithë ata që u përfshinë në krim nga Policia e Korçës, duke dhënë pakëz më shumë besim, se hetimi i plotë do zbulojë të vërtetën. Dhe e vërteta, ndonëse e dhimbshme, mund të shpëtojë një fëmijë tjetër.
Top Channel