
Deputeti i zgjedhur i Partisë Mundësia, Erald Kapri, është bërë pjesë e programit të Departamentit Amerikan të Shtetit për liderët e rinj europianë.
Kapri ka publikuar foto nga aktiviteti, ndërsa e vlerëson programin si një mundësi të veçantë për politikanët e rinj që të njohin nga afër funksionimin e sistemit federal amerikan, të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes vendeve.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Uashington, deputeti i zgjedhur për katër vitet e ardhshme, ka zhvilluar takime me Institutin Republikan Amerikan, nga i cili thotë se Partia Mundësia po merr mbështetje për të forcuar projektin politik me theks në vlerat perëndimore si ekonomia e lirë dhe shteti i vogël.
“Me mbështetjen e miqve tanë nga Instituti Republikan Amerikan (IRI), Partia Mundësia po forcon përvojën për ta çuar më tej projektin tonë politik. Duhet t’i rikthehemi vlerave perëndimore për ekonomi të lirë, shtet të vogël dhe mundësi për të gjithë. Vetëm kështu çdo familje shqiptare mund të rrisë mirëqenien e saj. Qeveria nuk mund të vendosë kush pasurohet, këtë duhet ta bëjë puna, talenti dhe sipërmarrja. Faleminderit Stephanie Roland dhe Isabelle Craber nga zyrat qendrore të IRI në Washington, DC, për mbështetjen dhe frymëzimin”, shkruan Kapri në rrjetet sociale.
Gjatë vizitës në SHBA, Kapri edhe figurën e Kardinalit Ernest Simoni Troshani, i cili në moshën 96-vjeçare vazhdon të shërbejë si frymëzim për shqiptarët dhe është ftuar nga Shtëpia e Bardhë për të mbajtur një lutje, ndërkohë që do të vijojë me takime me zyrtarë të tjerë dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Top Channel